Telegrafi

Favorizohen turqit për KEK-un

E vetmja që nuk është nga Turqia, e që është në garë për KEK-un, është kompania “Elsewedy”, e regjistruar në Egjipt.

Ndërkaq, kompania “Limak”, e cila së bashku me një kompani tjetër e mori me koncesion Aeroportin, është gjithashtu në garë edhe për KEK-un.

Me këtë shtet, Qeveria del të jetë shumë e kujdesshme edhe sa u përket memorandumeve në fusha të caktuara, që shumë herë u paraprijnë ardhjes së kompanive turke në Kosovë. Skenar i tillë, pati ndodhur me Aeroportin, kur para se ta merrnin turqit me francezet, Kosova nënshkroi memorandum me këtë shtet në fushën e aviacionit civil. Gjithashtu, memorandum u nënshkrua edhe në fushën e telekomunikacionit, megjithëse nga kompanitë e parakualifikuara për PTK-në, asnjëra nuk është nga Turqia.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, mohojnë se po favorizohen kompanitë turke. Këshilltari Gëzim Baxhaku thotë se për privatizimin e Rrjetit dhe Furnizimit në KEK, kanë aplikuar gjithsej katër kompani dhe të gjitha janë kualifikuar. Sipas tij, që të gjitha i kanë përmbushur kriteret e parapara për parakualifikim. “Pra, nuk bëhet fjalë për kurrfarë favorizimesh të kompanive nga Turqia”, ka thënë Baxhaku, shkruan Express.

Edhe në një komunikatë për media të kësaj ministrie, thuhet se njësia për implementimin e Projektit, ka pranuar aplikacionet e katër kompanive dhe që të gjitha i ka parakualifikuar. Shqyrtimi i aplikacioneve është bërë nga Komisioni Vlerësues, me përfaqësues nga secila ministri, anëtare e Komitetit Qeveritar të Privatizimit.
“Pas shqyrtimit të detajuar të të gjitha dokumenteve të përfshira në aplikacionet e dorëzuara, Komisioni i Vlerësimit për parakualifikim ka vlerësuar dhe rekomanduar që të katër kompanitë i përmbushin kriteret e përcaktuara në dokumentin e parakualifikimit”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, veç bërjes publike të kompanive, zyrtarët e kësaj ministrie nuk kanë sqaruar se a janë marrë vesh me kompanitë rreth tarifave të energjisë elektrike, për të cilat thuhet se do të vendosë Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

E vetmja gjë që dihet deri tash është se borxhet prej 350 milionë eurove që konsumatorët i kanë ndaj KEK-ut, nuk do të falen. Edhe pse as për këtë ende nuk është vendosur se si do t’i menaxhojnë ato.

Me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2011-2013, Qeveria nuk ka lënë asnjë opsion për Korporatën Energjetike të Kosovës, pos privatizimit. Në emër të këtij procesi, KEK`ut nuk do t’i ndahet asnjë cent për vitin 2012. “Nga viti 2012, nuk janë planifikuar shpenzime të tjera për këtë qëllim, sepse pritjet janë që gjatë kësaj periudhe do krijohen kapacitete të reja përmes investimeve të sektorit privat”, thuhet në KASH. /Telegrafi/