Një favorit i qartë për të zëvendësuar Erik Ten Hag si trajner i Manchester United është shfaqur para finales së FA Cup që do të luhet në ‘Wembley’.
Ten Hag tani duket si një ‘njeri i vdekur duke ecur’ tek Unitedi mes raportimeve se ai do të shkarkohet edhe nëse ekipi i tij mposht Manchester Cityn të shtunën.
Tekniku holandez ka duruar një sezon të dytë mjaft të vështirë në ‘Old Trafford’, pasi United përfundoi në pozitën e tetë në Ligën Premier, rekordi më i keq i tyre që prej vitit 1990.
Shpresat e Unitedit për të siguruar futbollin evropian mbështeten tek fakti se a do të arrijnë të triumfojnë ndaj Cityt të shtunën apo jo.
Sidoqoftë, The Guardian pretendon se Ten Hag do të shkarkohet pavarësisht rezultatit që ‘Djajtë e Kuq’ marrin gjatë këtij vikendi.
Një listë prej pesë kandidatëve është krijuar si zëvendësues potencial të Ten Hagut për sezonin e ardhshëm.
Tre nga këta emra përfshijnë ish-trajnerët e Chelseat – Thomas Tuchel, Mauricio Pochettino dhe Graham Potter, po ashtu edhe trajneri i Brentfordit, Thomas Frank, si dhe ish-asistenti i Unitedit, Kieran McKenna.
Tuchel dhe Pochettino janë të lirë në treg pasi u larguan nga Bayern Munich dhe Chelsea respektivisht, ndërsa Potter ka qenë i papunë që prej se u shkarkua nga Chelsea në prill të vitit të kaluar, me Pochettinon që u emërua si pasuesi i tij i përhershëm.
Megjithatë, sipas raportimeve nga Anglia, favoriti kryesor për të zënë vendin e Ten Hagut mbetet Mauricio Pochettino, ndërsa pas tij radhiten Thomas Tuchel dhe përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate./Telegrafi/