Fausti prej Tirane është drama e intelektualit shqiptar gjatë periudhës së tranzicionit të gjatë e të lodhshëm postkomunist; është zhgënjimi i tij nga politika; është vetmia e tij e pashpresë; është rebelimi i tij i pakrye.
Teksti ka për bazë fatin e intelektualit të pavarur shqiptar, i cili përjetoi momentin e ndërrimit të sistemeve në vitin 1991 dhe pas 22 vjetësh fillon që të rishikojë historinë e vetë.
“Me Alfredin, përveçse jemi kolegë, jemi dhe bashkëmoshatarë, prandaj mund të thuash se të dy kemi të njëjtat eksperienca jetësore sa i takon tranzicionit. Ne të dy kemi të njëjtat përjetime, por dhe të njëjtat qëndrime ndaj kësaj problematike që na ka dhënë realiteti shqiptar”, thotë profesori i Universitetit të Arteve, Stefan Çapaliku. “E gjithë dramatika e veprës merret me zhgënjimin që ka Fausti kur kujton ëndrrat dhe projektet e tij, të cilat i kishte thurur në vitin 1991 e që nuk realizohen edhe pas 22 vitesh, ashtu sikurse ne që përjetuam ndërrimin e sistemeve dhe ishim të mbushur me entuziazëm dhe shpresë se gjërat do të ndryshonin shumë më shpejtë”.
Fausti prej Tirane është një njeri tërësisht i revoltuar, por dhe ai zbulon një alternativë finale. Duke refuzuar realitetin në të cilin gjendet, njëkohësisht ka kuptuar se dhe nëse do të ketë një fund tragjik, ky fund nuk i vlen kurrkujt.
“Vepra është thellësisht polemike. Është një vepër e hapur, që nuk ka pika mbi ‘i’ dhe mendoj se spektatorët do ta shikojnë një pasqyrë në të cilën do të shohin jo vetëm veten, por dhe karikaturën e tyre”, shton Çapaliku.
Edhe profesori tjetër i Universitetit të Arteve në Tiranë, aktori Alfred Trebicka, i takon gjeneratës që ka kaluar nga një sistem në tjetrin.
“Në vitin 1990, kur u bë ndryshimi i madh, ne ishim në atë moshën e ëndrrave dhe energjive të mëdha. Ishim rreth 25 vjeç asokohe”, thotë ai. “Ka shumë ëndrra të parealizuara. Ky është dhe një nga thelbet e Faustit, por që lidhet edhe me fatin tonë në këto 22 vjet. Fati i Faustit është i përbashkët jo vetëm me ne si artistë, por me të gjithë intelektualët në Shqipëri, të cilët kanë pësuar një dramë shpirtërore, një dramë idesh dhe realizimesh. Prandaj, në kuptimin e koherencës, karakteri është shumë afër me ne, sepse janë ngjarje të jetuara. Pikat e referimit që ndodhin në vepër janë të gjitha ngjarje që ne i kemi jetuar.
Rrallë ndodh që një projekt teatror të ngjallë interes ende pa u realizuar nga ana skenike. Kjo ka ndodhur me monodramën “Fausti prej Tirane” të Çapalikut, e cila akoma pa u shfaqur premiera e saj në Tiranë, një nga teatrot prestigjiozë evropianë ka shfaqur interes për ta vënë në skenë: Fausti shqiptar në shkurt do të ngjitet në skenën në Volkstheater, në kuadër të Festivalit “The Best from the East”, në Vjenë.
Dramat e Çapalikut kanë shënjuar sukses edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Më dramën “Allegreto Albania” ai arriti të përfaqësojë pas shumë vitesh dramën shqipe në një prej bienaleve më të rëndësishme në botë, siç ishte ajo e Bonit dy vite më parë. Drama fituese e konkursit kombëtar të dramës shqipe, u përzgjodh nga grupi i selektorëve Wisbaden-festival (ish-Bienalja e Bonit) për vlerat e saj autentike. /Telegrafi/