Telegrafi

Fauci thotë se SHBA është “absolutisht e përgatitur” për të ofruar dozën e tretë të vaksinës “shumë shpejt”

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha të dielën se SHBA ka ruajtur kapacitetin për të ofruar një dozë të tretë të vaksinës COVID-19 “shumë shpejt” për popullatën më të gjerë nëse kërkohet.

Sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, në mesin e paralajmërimeve për rastet në rritje, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë të enjten se individët me sisteme të kompromentuara imunitare – rreth 3 për qind e të rriturve amerikanë – mund të marrin një dozë të tretë të vaksinës, përfshirë individët të cilët janë të prekshëm nga sëmundjet për shkak të transplanteve të organeve, kancereve të caktuara ose çrregullimeve të tjera.

Individët me imunitet të kompromentuar mund të “marrin atë tani”, tha Fauci në një intervistë në CBS.

I pyetur në lidhje me afatin kohor për pjesën tjetër të popullsisë, Fauci tha se zyrtarët federalë të shëndetësisë “po e shikojnë atë në baza ditore dhe javore në grupe, jo vetëm në SHBA, por në vende të tjera, për të përcaktuar nëse, kur dhe kujt duhet dhënë këtë”.

Ndryshe, vë në pah mediumi në fjalë, disa shtete dhe qarqe – përfshirë shtetin e Uashingtonit, Los Angeles County dhe New Jersey – kanë shpërndarë një dozë të tretë të vaksinës Pfizer ose Moderna për individët me sistem imunitar të dobësuar për të ofruar mbrojtje të mëtejshme nga varianti shumë ngjitës Delta.

Doza e tretë aktualisht nuk konsiderohet një përforcues, por një dozë shtesë për njerëzit që nuk janë në gjendje të zhvillojnë imunitet të mjaftueshëm nga dy dozat e para. /Telegrafi/