Telegrafi

Fauci: Raportet e para për Omicronin tregojnë se është më pak i rrezikshëm krahasuar me variantin Delta

Anthony Fauci, infektologu dhe njëherit këshilltari i presidentit amerikan për pandeminë e COVID-19, ka deklaruar se pavarësisht që varianti i ri i coronavirusit – Omicron po përhapet shpejtë në këtë shtet, indikacionet e para tregojnë se është më pak i rrezikshëm sesa varianti Delta.

Ai për CNN tha se shkencëtarët kanë nevojë për më shumë informacione, para se të vijnë te ndonjë përfundim për rrezikshmërinë nga varianti Omicron, transmeton Telegrafi.

Raportimet nga Afrika e Jugut ku për herë të parë u shfaq ky variant, tregojnë se përqindja e të hospitalizuarve nuk është rritur në mënyrë alarmante.

“Tani për tani nuk duket se ekziston përqindja e madhe e rrezikshmërisë, por duhet të jemi të kujdesshëm para se të marrim ndonjë përfundim pasi që Omicroni është më pak i rrezikshëm dhe nuk shkakton pasqyrë të rëndë klinike të pacientit krahasuar me variantin Delta që është më i rëndë”, tha Fauci.

Ai theksoi se administrata e Bidenit po shqyrton mundësinë e shfuqizimit të masave kufizuese për ata që udhëtojnë nga disa vendet afrikane dhe që nuk janë shtetas amerikanë. /Telegrafi/