Telegrafi

Fauci akoma këshilltari kryesor në luftën kundër coronavirusit, bisedon me administratën e re – pajtohen që të pranojnë rekomandimet e tij

Eksperti amerikan i sëmundjeve ngjitëse Anthony Fauci, pothuajse për asnjë moment nuk e ka braktisur funksionin që e ka ushtruar, por pas gati një viti që është sulmuar vazhdimisht nga ana e ish-presidentit Donald Trump, tani sërish po bisedon me administratën amerikane – e cila ia njeh autoritetin dhe kontributin e dhënë, shkruan AP.

Gjatë fushatës presidenciale, Biden ishte zotuar se do ta emërojë Faucin si këshilltar medicinal – e tani që ka ardhur në pushtet, 80-vjeçari që u ka shërbyer tetë presidentëve – menjëherë e ka pranuar postin dhe i është përveshur punës.

Ai këtë veprim e ka quajtur “të çliruar”, dhe thotë se pas tij qëndron administrata që ka pranuar rekomandimet e tij në luftën kundër COVID-19.

Fauci ka bërë të qartë se beson që administrata e re nuk do të manipulojë me mesazhe të ndryshme që shpesh kanë ardhur nga ekipi i Trumpit, ku faktet shkencore shpesh janë mbuluar për shkak të qëndrimeve politike të presidentit.

Rikthimi i rolit të Faucit në luftën kundër COVID-19, është një tregues se “shkenca që ishte shtypur, tani është në plan të parë”, konsiderojnë ekspertët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/