Pas bisedimeve me anëtarët e Qeverisë serbe në Beograd, Fatos Bytyçi, vëllai i vëllezërve të vrarë Bytyçi, tha sot se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për zbardhur rastin dhe për të kuptuar të vërtetën dhe autorët e krimit të dalin para drejtësisë.
“Do të luftoj derisa të jem gjallë. Unë dhe e tërë familja ime, duam drejtësi. Ne kurrë nuk do të ndalemi”, tha Bytyçi, raporton Tanjug.
Ai ka rikujtuar se Qeveria amerikane është e vendosur për t’i dhënë fund këtij rasti.
Bytyçi konsideron se autoritetet serbe do të duhej të bashkëpunonin me FBI-në për këtë rast, në mënyrë që mos të ketë asnjë dyshim gjatë hetimit.
Dyshimin e tij ai e bazon në faktin se ende nuk janë ndriçuar vrasjet e ish kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, redaktorit Slavko Çuruvija. “Nuk janë amerikanët, boshnjakët dhe kroatët, por serbët dhe as familjet e tyre nuk kanë parë ‘drejtësi’”, thotë ai.
“Qeveria e SHBA do të ndihmojë Serbinë të hyjë në BE, dhe kjo më bën të lumtur, por unë dua drejtësi për familjen time”, thotë Fatos Bytyçi.
Tre vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, u vranë në Serbi në qershor të vitit 1999, pak ditë pas përfundimit të luftës. Të tre vëllezërit ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit “Atlantiku” i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët në vitin 1999 iu bashkuan luftës në Kosovë./Telegrafi/