Faton Ramadani, vëllai i Burim e Arsim Ramadanit, të dënuar me 30 burg në gjykimin e njohur si Rasti “Kiqina”, ka paralajmëruar se nëse EULEX-i nuk hedh dritë për zbulimin e së vërtetës, do të publikojë së shpejti një inçizim ku përmendet një tjetër emër i përfshirë në vrasjen e familjes së Hamëz Hajrës.
Në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, Ramadani ka treguar, se ku gjendeshin vëllezërit e tij në natën e krimit dhe se si u montua rasti i tyre.
Ramadani ka përmendur disa prej emrave të zyrtarëve të lartë të SHIK-ut, për të cilën ka thënë se kontrollojnë gjithçka në Kosovë.
Kohët e fundit po flitet hapur për krimet që kanë ndodhur deri më dje, por të gjithë heshtin. Pse po ndodh kjo sipas jush?
Faton Ramadani: Unë personalisht mund të flas vetëm për rastin e vëllezërve të mi, të cilëve iu montua një krim i pa kryer nga ta. Ne asnjëherë nuk kemi heshtur për këtë montim që është bërë nga vetë vrasësit që fshehën krimin me vëllezërit e mi.
Ku ishin vëllezërit tuaj ditën kur ndodhi vrasja e familjes Hajra?
Faton Ramadani: Vëllau Burim Ramadani kishte ditëlindjen e 21-të, natën kur u vra familja Hajra. Burimi në kohën 23:17, që i kishte regjistruar KFOR-i norvegjez krismat, ishte në lokal në Drenas duke festuar ditëlindjen me 14 persona. Po në atë lokal kishte edhe polic me uniformë. Burimi kishte vazhdimisht thirrje për urime të ditëlindjes, por hetuesit që montuan lëndën, nuk nxorën kordinatat e telefonit se ku ishte ai në kohën e vrasjes. Po në atë ditëlindje kishte njerëz të afërm të SHIK-ut, si Ilir Demaku dhe Petrit Morina, të cilët qëndruan non stop në ditëlindje, por kurrë nuk u akuzuan e as nuk u burgosën.
I njihnit ju më herët Demakun dhe Morinën?
Faton Ramadani: Po, ata njihen me vëllezërit nga koha e luftës, por në atë ditëlindje kishte edhe njerëz të tjerë, por donin që vëllezërit Ramadani të ishin në burg për atë vrasje të ligë.
Keni thënë se familja juaj ka një inçizim në të cilin dëshmitari Shpresim Uka pohon se zëvendësministri i Ambientit Ferat Shala e kishte paguar një person me 70 mijë marka për të vrarë familjën Hamza. A qëndroni ende prapa kësaj deklarate?
Faton Ramadani: Unë kam treguar se Shpresim Uka në atë inçizim thotë, se Ferat Shala ia ka dhënë 70 mijë marka Shaban Sylës, dhe kjo është e vërtetë. Këtë pyetje mund t’ ia bëni edhe EULEX-it. Uka aty ka folur edhe për raste tjera, mirëpo unë dua të nxjerr të vërtetën me gjyq se vëllezërit e mi s’janë vrasës. Po të ishin vrasës fëmijësh vëllezërit e mi, unë nuk do të kërkoja drejtësi. Ata që vranë fëmijë e burgosen persona pa faj, për të mbuluar krimin, duhen burgosur sa më shpejtë, se nga ata kriminelë është në rrezik çdo qytetar.
A keni pas kërcënime dhe presion nga “të fortët” të cilët i keni akuzuar për vrasjen?
Faton Ramadani: Unë çdo herë kam folur vetëm çka ka në lëndë, të cilën kush e lexon e sheh se sa e tmerrshme është. Unë akuza nuk kam bërë, por vetëm kam treguar se çfarë thotë një dëshmitar në një incizim të cilin e ka EULEX-i. Vazhdimisht kam pasur kërcënime dhe shantazhe, por ato vetëm sa më kanë dhënë fuqi të mos ndalem derisa të del e vërteta e krimit që i ka mbuluar vëllezërit e mi.
Shpesh në qëndrimet tuaja keni përmendur edhe SHIK –un. Kujt i drejtoheni konkretisht?
Faton Ramadani: Unë kam treguar se çfarë ka thënë në incizim Shpresim Uka. Uka thotë, se Ferat Shala është i përzier në vrasjen e familjes Hajra, për të cilën po rrinë në burg vëllezërit e mi. Përveç ish-drejtorit të SHIK-ut Shala, ai përmend edhe një person tjetër. Por pasi që lënda është në EULEX, i cili e mori atë inçizim me urdhër bastisje, ne po presim derisa të na informojnë. Nëse dikush ndërhyn me pengu atë hetim, për t’i mbajtur prapë në burg të pafajshmit, ne do ta bëjmë publike edhe pjesën tjetër me emrin tjetër që përfshin Shpresim Uka në vrasjen e familjes Hajra. E dimë që nëse ndërhyn dikush me mbyll prapë hetimin, ne nëse nuk do të mundnim të bëjmë diçka për lirimin e të pafajshmëve kur të bëjmë publik inçizimin, së paku duam që populli të kuptojë të vërtetën.
Në inçizim përmendni edhe një emër tjetër, pse atë nuk e keni bërë ende publik?
Faton Ramadani: Tregova, për arsye se është duke u hetuar nga EULEX-i, për të mos i prish hetimet. Kurse emri i Ferat Shalës ka dalë para se të marr EULEX-i incizimin.
Inçizimin sipas juve, e ka marr EULEX-i, pa dëshirën tuaj, pse nuk po kërkoni rezultate nga ky institucion?
Faton Ramadani: Unë i kam vëllezërit në burg afër 15 viteve dhe nuk kam besim në sistemin e kapur të drejtësisë në Kosovë. Në kohën kur Gjykata Supreme i dogji dëshmitë e reja që tregonin se vëllezërit Ramadani ishin të pafajshëm, unë nga inati kam shfaq inçizimin 17 sekondësh të Ukës në rrjetet sociale. EULEX-i me urdhër bastisje e ka kërkuar atë inçizim dhe unë nga shumë kopje që i kam pasur, ua kam dhënë vetëm një. Por, unë mendoj se në EULEX, të fortët kanë ndërhyrë prapë, andaj kam dashur që atë inçizim ta dërgoj në Bruksel për t’iu treguar se çfarë pazaresh bëhen për t’i mbyllur krimet me persona të pafajshëm në Kosovë.
Keni thënë se dëshmitar ishte Blerim Kiqina, për të cilin keni thënë se është maltretuar fizikisht nga UDBA, gjykata nuk e ka marr për bazë dëshminë e tij për shkak se u konsiderua si i mitur?
Faton Ramadani: Blerim Kiqina ishte në dasmën ku ndodhej familja Hajra e jo në ditëlindje. Këtë e dëshmojnë të gjithë dasmorët dhe veët Pranvera Hajra, e mbijetuara e atij krimi. Blerimi kishte dhënë dy deklarata të ndryshme. Atë e kishin futur në burg për 72 orë. Në deklaratën që Fadil Syleviqi kishte marrë urdhëra nga vrasësit për ta mbuluar krimin me vëllezërit Ramadani, kishte humbur të gjitha provat e dëshmitë që tregonin saktë kush ishte kryesi i vërtetë i krimit. Vetëm për ta mbyllur krimin me vëllezërit e mi, ajo deklaratë u nxjerr me dhunë pa prezencën e avokatit, të familjarëve apo të punëtorëve nga Qendra Sociale, për të cilën garantohet me ligj dhe në vetë shkresat e Gjykatës tregohet, se ai ishte i mitur. të dhe e liroi të akuzuarin kryesor Skender Halilajn e 6 të tjerë, ndërsa vëllezërit e mi i dënoi. Dënimi i tyre ishte urdhër i vrasësve për t’i dënuar pa asnjë provë të vetme vetëm për të mbyllur krimin e tyre.
E përmendet edhe Fadil Syleviqin, çfarë roli kishte ai?
Faton Ramadani: Fadil Syleviqi ishte prej njerëzve më të fuqishëm të Serbisë në Kosovë para luftës. Ai ishte arrestuar për tradhti ndaj vendit në zonën e Llapit, por atij dikush ia shpëtoi jetën. Para luftës, atë e përkrahte një polic ndërkombëtar që kishte fuqi të madhe në UNMIK dhe poashtu kishte përkrahur edhe Syleviqin. Ky i fundit kishte përkrahje nga vendorët dhe kishte fuqi në sistemin e drejtësisë dhe ishte mbi ligjin, e përdorte ligjin si donte. Në rastin tonë, e ka përdor ligjin për t’i mbuluar kryesit e vërtetë të krimit.
Keni përmendur edhe emrin e Fadil Demakut, i dënuar për “Drenica II”, çfarë roli kishte ai në rastin e vëllezërve tuaj?
Faton Ramadani: Mua më vjen keq që Fadil Demaku është dënuar me vëllezërit e mi, por ata janë burgosur sepse janë paguar nga Skender Halilaj për ta vrarë familjen Hajra për shkak të një aksioni që është bërë në luftë nga Fadil Demaku, Skender Halilaj e të tjerët. Në një shkresë të prokurorit ndërkombëtar, thuhet se Hamëz Hajra u vra për shkak të një aksioni në luftë, dhe e kishte vënë në pritë Kimete Krasniqi, e afërme e tij, dhe gjoja se Halilaj na ka paguar neve për të vrarë Hamëz Hajrën për të mos hyrë në burg Fadili, Jahiri e të tjerët. Ndërkombëtarët sipas shkresave e kishin informacionin, se do të vritet dëshmitari i Hagës. Këtë informacion e kishte G2, që kishte zënë disa letra me shkresa të Kimete Krasniqit. Kjo e fundit ishte dënuar me 6 vite burg për tradhtinë që ia kishte bërë shokut të saj Hamëz Hajrës, por ajo burgun nuk e mbajti kurrë, vetëm paraburgimin. Në një takim që kam pasur me të, ajo më ka thënë se shefat e kishin ndihmuar për të mos e mbajtur burgun. Kush i ka ndihmuar asaj, ka gisht në burgosjen e vëllezërve të mi. Prokurori ndërkombëtar me një rast thotë që 6 miliardë njerëz që ka bota, 2 milionë që ka Kosova, Hamëz Hajrën kanë pasur aryse për ta vrarë personat që kanë gjuajt në luftë, me të cilët ne s’kemi asnjë lidhje.
Keni thënë që Kadri Veseli e ka një raport të SHIK-ut, në të cilin flitet për rastin e vëllezërve Ramadani dhe Kiqina, çka përmban ai raport?
Faton Ramadani: Po SHIK-u, ishte shërbim sekret dhe në rastin tonë përfshihen emra të drejtorëve të SHIK-ut si Fadil Demaku e Ferat Shala që ishin shokë të mirë qysh nga lufta. Në ditëlindje ishin edhe Petrit Morina e Ilir Demaku, të cilët nuk u akuzuan kurrë. Unë kam kërkuar që Veseli ta bëjë publik atë raport, për të cilin kam informacione se çfarë flitet në të. SHIK-u për secilin rast në Kosovë ka bërë raporte, por dikush në atë organizatë kishte lidhje përmes ndërmjetësuesit edhe me Syleviqin edhe me ndërkombëtarët. Ai raport po të bëhet publik, ndihmon shumë për të zbuluar të vërtetën.
A kanë lidhje prokurorët dhe hetuesit me politikanët, duke ditur që deri më tash nuk i kanë hetuar rastet më të përfolura kriminale?
Faton Ramadani: Është një kanal i hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve që shërbenin në kohën e UNMIK-ut, që janë të përfshirë në fshehjen e vrasjeve. Disa ishin edhe në EULEX, por duket se më nuk kanë fuqi aty. Pikërisht me të vërtetën e vëllezërve të mi, kjo bandë do të zbulohet dhe do të dalin shumë të vërteta se si e penguan zbulimin e vrasjeve.
Si i vlerësoni hapin që ndërmori Presidenti Hashim Thaçi, në lidhje më kërkesën drejtuar Prokurorisë së Shtetit, për zbardhjet e vrasjeve të pas luftës?
Faton Ramadani: Ai është një hap vetëm sa për të krijuar paqartësi tek opinioni publik. Pse, presidenti nuk bëri kërkesë të tillë edhe për rastin e vëllezërve Ramadani? Nëse del e vërteta për këtë rast, do të fundosen për 30 vite burg shumë politikanë të fuqishëm e persona të krimit që janë në sistemin e drejtësisë.
Çfarë krimesh ka kryer sipas jush SHIK –u?
Faton Ramadani: Unë e di se SHIK-u ishte shërbim sekret, por nuk di se çfarë të mira ose krime ka bërë. Në rastin e vëllezërve Ramadani, Shpresim Uka përmend personat më të fuqishëm të SHIK-ut, të përfshirë në krimin kundër familjes Hajra. Po të mos ishte dikush me fuqi të madhe në këtë krim, vëllezërit e mi do të vazhdonin festat e ditëlindjes në liri, pasi janë të pafajshëm.
A ka punonjës të SHIK në institucionet tona?
Faton Ramadani: SHIK-u kontrollon gjithçka në Kosovë.
A keni kërkuar ndihmë nga KMDLNJ dhe organizatat tjera të të drejtave dhe lirive të njeriut?
Faton Ramadani: Këto 14 vite padrejtësi, më lehtë është të më pyesësh se ku nuk ke bërë kërkesa. Çdo kund kam bërë ankesa dhe kërkesa. Kam kërkuar drejtësi, por fuqia e atyre që e kanë bërë krimin, është e madhe dhe nuk ka guxuar deri tash askush për të marr ndonjë hap për të vërtetën e vëllezërve të mi. Shumica e organizatave në Kosovë e kanë kokën tjetërkund. Po të ndodhte ky rast në ndonjë shtet demokratik, do të ishin zgjuar të gjitha organizatat, duke ngritur zërin derisa e vërteta të mos dilte në shesh. Por këtu shumë persona që duhet ngritur zërin, të thonë ki kujdes, të vrajnë, të montojnë burgun, vetëm për të më frikësuar mos u thirr në drejtësi.
A keni shpresë së Gjykata Speciale do të sjellë drejtësi?
Faton Ramadani: 15 vite u bënë padrejtësi. Ne kemi bërë ankesa, protesta e debate, por në Kosovë deri më tani nuk është marrë asnjë hap. Tash është duke hetuar EULEX-i inçizimin e Shpresim Ukës dhe nëse EULEX-i do t’i mbrojë vrasësit e vërtetë, le t’i lirojnë të pafajshmit. Ata kanë provën për këtë. Në Gjykatën Speciale, ne do të bëjmë kërkesë, por shpresojmë se EULEX-i kësaj radhe me provën që posedon, do t’i lirojë të pafajshmit.