Site icon Telegrafi

Faton Abdullahu: Qeveria Kurti punoi kundër rekomandimeve të SHBA-së dhe BE-së

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke e akuzuar se veproi në kundërshtim të plotë me rekomandimet e SHBA-së dhe BE-së.

Ai ka përmendur si shembull vendimin për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe, duke e quajtur një politikë që përfundimisht dëmton shtetin.

Sipas Abdullahu, mënyra e qeverisjes së Albin Kurtit bazohet në tre hapa:

Marrja e vendimeve kundër rekomandimeve ndërkombëtare, për të krijuar imazhin e një politike të pavarur – siç është rasti me ndalimin e mallrave serbe.

Zvarritja e përplasjes me ndërkombëtarët, duke e shfrytëzuar për përfitime politike dhe për të fituar simpati nga mbështetësit radikalë.

Lëshimi pe dhe pranimi i rekomandimeve ndërkombëtare, duke e kthyer vendin në pikën zero, por me pasoja serioze për Kosovën.

Njoftimi i plotë i Abdullahut

Qe qysh punon Qeveria Kurti tash e sa kohë

1) Hapi i parë –  Marrja e vendimit që do të jetë në kundërshtim të plotë me rekomandimet e SHBA-së dhe BE-së. Sa për ilustrim tash së fundi rasti me ndalimin e hyrjes së prodhimeve serbe në Kosovë- motoja e vuvuzelave politike për këtë qasje dhe të tjera të ngjashme – ‘’jo nënshtrim’’

2) Hapi i dytë- Zgjatja e kësaj periudhe kundërshtuese, sa më shumë që është e mundur që i nervozon ndërkombëtarët, por sjell simpati politike, sidomos tek pjesa militante dhe tek ata që kanë antipati ndaj ndërkombëtarëve, sidomos amerikanëve – motoja e vuvuzelave politike është ‘’po vjen era shtet’’.

3) Hapi i tretë – Lëshimi pe, dorëzim i plotë, pranimi i asaj që rekomandonin ndërkombëtarët, sa për ilustrim, vendimi që të lejohet hyrja e mallrave serbe – motoja e vuvuzelave politike  ‘’Ky është pragmatizëm’’

Efekti i kësaj kulture politike, tash e zyrtarizuar në Qeveri, nuk është vetëm kthimi në pikën zero, por edhe dështimi dhe dëmtimi i shtetit tonë.

a) Jemi nën sanksione nga BE-ja të cilat ende nuk po diskutohen seriozisht që të hiqen.

b) Ftohja e raporteve me ndërkombëtarët sidomos me SHBA-në.

c) Serbia edhe pas rastit në Banjskë nuk ka humb asgjë nga trajtimi si me një shtet normal për dialog.

d) Mos pasja e njohjeve të reja dhe dështimi për anëtarësim në organizma ndërkombëtarë.

e) Zëvendësimi i njohjes nga Serbia, me normalizim të raporteve me Serbinë, gjë që e zhvendos njohjen jashtë normalitetit.

f) Mungesa e investimeve nga jashtë, si determitë e krijimit të përshtypjes se mund të ketë konflikt të ashpërsuar në veri dhe jo vetëm.

Exit mobile version