Telegrafi

Fatmire Bajramaj i jep fund karrierës si futbolliste

Ajo u bë e njohur përmes golave të bukur, në një sport që vëmendjen kryesore e kanë meshkujt.

Fitoi popullaritet përmes spoteve të bukura televizive, që e futën gjithashtu në arenën e “showbizz”-it, si dhe u shpall dy herë kampione Evrope dhe një herë kampione bote.

Tashmë në moshën 28-vjeçare, Fatmire Bajramaj, vendosi që t’i thotë lamtumirë futbollit.

Kosovarja, e cila ka përfaqësuar kombëtaren e Gjermanisë, ka luajtur për skuadra të njohura si Duisburg, Turbine Potsdam, Frankfurt dhe Paris Saint Germain.

Së fundmi luajti për PSG-në

“Pas një mendimi të gjatë dhe të kujdesshëm, unë kam vendosur të përfundoj karrierën në futboll. Ky vendim është shumë i vështirë për mua, sepse me gjithë qejf kam dashur të luaj sërish futboll në një klub tërheqës. Për fat të keq nuk ishte e mundur ta gjejmë një qytet për planet tona”, tha mes të tjerave ish-futbollistja e njohur.

Kampione e botës me Gjermaninë

Fatmire Alushi Bajramaj, nga Istogu, ka zhvilluar afro 300 paraqitje me të gjitha klubet, ku ka shënuar edhe 123 gola.

Ajo është e martuar me futbollistin Enis Alushi.