Site icon Telegrafi

Fatmir Limaj jep sinjal për Demarkacionin

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se shpejt do të gjendet një zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi. Ka thënë se këtë përgjegjësi e ka marrë prej Qeverisë. Ka shpjeguar se zgjidhje do të jetë kreative.

Kryetari i NISMA’s ka thënë se e kanë për obligim të gjejnë zgjidhje pasi në pushtet s’kanë shkuar për ankesa. Sipas tij, zgjidhja do të jetë në të mirë të dyja shteteve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar me strukturat e partisë Nisma ka thënë se qeveria aktuale ka trashëguar tema të ndryshme ose marrëveshje të këqija të cilat janë zhvilluar për shkak të politikave jo transparente dhe të paorganizuara.

Ka përmendur dialogun Prishtinë-Beograd si dhe zgjidhje për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ai është prezantuar si njëri prej njerëzve kryesorë të Qeverisë Haradinaj për ta gjetur zgjidhjen e demarkacionit.

Limaj tha se shpejt do të gjendet një zgjidhje që do t’i jap fund demarkacionit, por, nuk ka dhënë detaje se cila do të jetë kjo zgjidhje, shkruan Gazeta Express.

“Dua t’ju them se unë kam marrë angazhim për të gjetë rrugë që mi hap mundësi vendit tonë. Qeveria e Kosovës nuk mjafton me thënë e kemi dërguar ne Parlament dhe tash le të vendos Kuvendi”, ka thënë Limaj.

“Ka mundësinë që të punoj ende që se bashku me qeverinë e Malit të zi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët që nuk do të prekte interesat e asnjërit vend, do të respektoheshin interesat e dy vendeve. Ka hapësirë të mjaftueshme që dy qeveritë tona ti marrin zotimet dhe obligimet për të përmirësuar cdo pikë që ka lëshime gjatë asaj marrëveshje. Gabimet korrigjohen nëse ka”, ka shtuar ai.

“Jam i bindur të gjejmë rrugën që të përmbyllet kjo çështje.  Të jemi të sigurt se deputetët nuk po votojnë diçka që është kundër interesave të tyre”, ka shtuar ai.

Limaj edhe me parë ka paralajmëruar se para ligjvënëseve të vendit do të nxirret një version për demarkacionin, të cilin do ta duartrokasin të gjithë.

“Ne jemi shumë të vendosur me mbrojt interesin e vendit tonë…Dhe për çështjen e demarkacionit duhet një zgjidhje kreative. Për me çu përpara interesin e vendit”, ka shtuar ai.

Demarkacioni është njëra prej kushteve kryesore që qytetarëve do t’ua lehtësonte rrugën drejt liberalizimit të vizave.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë tha se deri më tani dialogu ka qenë jo transparent dhe si i tillë nuk ka prodhu rezultate të mira.

Demarkacioni me Malin e Zi vazhdon të jetë kushti kryesor i BE’së për t’ua liberalizuar vizat kosovarëve. Marrëveshja me Malin e Zi dhe Kosovën ishte nënshkruar më 2015 por ende s’ është dërguar në Parlament për ratifikim.

 

Exit mobile version