Telegrafi

Fatlind Shoshaj: Krenar që luaj për Kosovën

(Foto: basketbolli.com)

Kosova U-20 (meshkujt) po vazhdon me përgatitje intensive për garat ndërkombëtare. Në ekipin e Kosovës U20 ka disa basketbollistë që luajnë në Kosovë, por edhe disa që luajnë në ligat evropiane.

Fatlind Shoshaj është grumbulluar për herë të parë me Kosovën U-20. Ai është pjesë e klubit Kangoeroes Basket Mechelen në Belgjikë.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Nuk e kam pritur që do të shkojnë kaq mirë. Trajneri (Mark Rodiqi) është shumë i mirë dhe po na jep shumë këshilla të mira në stërvitje”, shprehet Shoshaj për faqen zyrtare të FBK-së.

Ai flet edhe për rëndësinë që ka për të luajtur për Kosovën. “Është kënaqësi të jem pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe shpresoj në rezultate pozitive në turneun në Hungari. Kjo është hera e parë që jam pjesë e Kosovës dhe shpresoj se do të jem edhe në të ardhmen. Më kanë pritur shumë mirë, si lojtarët, ashtu edhe stafi. Për këtë i falënderoj shumë”, shton tutje Shoshaj.

Kosova U20 (M) do të marrë pjesë në Grupin E të FIBA U20 European Challengers që do të mbahet prej 20 deri më 25 Korrik 2021 në Sopron të Hungarisë.

“Ne udhëtojmë vetëm për fitore. Nuk e di nëse do të shënojmë vetëm fitore, por ky është qëllimi që shkojmë në Hungari”, nënvizon Fatlind Shoshaj.

Kosova është në grup me Bjellorusinë, Hungarinë e Sllovakinë.