Tre vjetët e fundit të qeverisjes Aliu në Ferizaj po vlerësohen jo të dobishme për qytetarët. Kështu tha në një intervistë për Telegrafin, Fatbardha Zogaj – Reka, kryetare e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj.
Ajo ka kritikuar kryetarin Aliu për realizim të projekteve të nënkalimeve duke i cilësuar të pa dobishëm, me arsyetimin se ka mundur të realizon projekte më madhore për interesin qytetar.
Kujtojmë se ditë më parë kryetari i Komunës së Ferizaj Agim Aliu në një intervistë për Telegrafin, pati folur lidhur me zhvillimin dhe transformimin e qytetit të Ferizajt, duke e cilësuar atë si një nga qytetet evropiane për shkak të realizimit të dhjetëra projekteve kapitale.
Por për kryetaren e VV-së Reka, ky trevjeçar si kryetar komune, Agim Aliu, specifikohet apo dallohet me sulme të shumta ndaj qeverisë qendrore, duke e akuzuar qeverinë për mos përkrahje në projektet e komunës.
Po ashtu Reka ka thënë se këto sulme që i ka bërë kryetari Aliu ndaj Qeverisë e ka shfrytëzuar edhe pozitën e tij si Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Përmes kësaj pozite ka vazhduar ta sulmojë qeverinë në mënyra të ndryshme. Fokus në këtë mandat të tij është sulmi ndaj qeverisë ku për mos realizimin e projekteve në komunë, por edhe për mënyrën e veprimit përmes Asociacionit të Komunave. Krejt kjo në funksion të fushatës së dëshpëruar të partisë së tij PDK-së për ta frenuar trendin e rënies së tyre. Duhet të theksojmë se projektin me të cilin edhe në mandatin e kaluar është krenuar qeverisja Aliu me nënkalimin në qendër dhe tani me nënkalimin tek policia i cili ende s’ka përfunduar, po të cilin është munduar ta llogarisë si projekt kapital, e në realitet është një projekt që nuk hyn shumë në funksion të lehtësimit të punë dhe të jetës së qytetarëve”, ka thënë Reka.
Sipas saj, ka edhe projekte të tjera për të cilat është dashur qeverisja Aliu të angazhohej për finalizimin e tyre.
“Nëse krahasohen këto projekte kapitale të nënkalimeve me projektet tjera, që ne mendojmë se janë shumë ma madhore, për shembull, trotuare të ndryshme në rrugë fshatarësh, por edhe në rrugë urbane të qytetit trotuare në mungesë ku fëmijët qarkullojnë çdo ditë ose rregullimin e shtretërve të lumenjve, siç është lumi për përreth rrugës së Pleshinës deri në Pleshinë ose edhe premtimi i tij i shtratit të lumit Neredime deri në Doganaj prej urës së Dudit e të tjera. Ne mendojmë se këto projekte infrastrukturore janë të rëndësisë shumë më të lartë sesa projekti i vetëm milionësh me pak ndihmë në funksion të lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka kritikuar ajo.
Reka ka shtuar se nëse marrin edhe një krahasim afër nënkalimit që ndodhet një shtëpi kulture që është parapa para shumë viteve e, që ka hyrë në funksion para një viti, sipas Rekes, ai projekt është degraduar.
“Disa prej grupeve kulturore dhe artistike të qytetit tonë, që kanë “namë” në qytet për punën e tyre të mirë, i kanë zyret aty apo edhe dhomat ku ushtrojnë gjithashtu. Aty ndodhet arkivi i Kosovës për qytetin e Ferizajt, zyrja e klubit ‘Derada’ me bibliotekën e saj të gjitha ato jo i ka marrë uji, por kur bie shi jashtë, bie shi njëjtë edhe brenda e që kanë hynë në funksion veç që një vit. Nuk janë larg njëra prej tjetrës, me pa krahasimin se si bie shi në zyret e asaj ndërtese dhe një nënkalim me drita e me një pamje glamuroze, po jo në funksion të drejtë për qytetarin”, ka thënë më tej ajo.
Reka, më tej ka përmendur edhe disa ngecie në fushën e shëndetësisë, e arsimit.
“Gjithashtu do të përmendim ngecjet në fushat vitale të jetës së qytetarëve në Ferizaj. Do të përmend shëndetësinë, mos funksionalizimi i AMF-ve nëpër fshatra dhe mungesa e materialeve, mungesa e një rregulli në QMF-në e Ferizajt gjithashtu edhe ndërtimi i QMF-së së re, që para një viti i është vu gurthemeli dhe projekti ka ngecur vetëm në ndërtim të vrazhdë. Gjithashtu do të përmendim në veçanti fushën e arsimit, ku për këto tri vjet janë tri përmbaruesi po ua merrë buxhetin e komunës”, ka thënë midis të tjerash Reka. /Telegrafi/