Site icon Telegrafi

Fatah dhe Hamasi nënshkruajnë një deklaratë – synojnë “t’i japin fund ndarjes dhe të forcojnë unitetin”

Udhëheqësit e fraksioneve rivale palestineze Fatah dhe Hamasi kanë nënshkruar një deklaratë që synon t’i japë fund ndarjes dhe të forcojë unitetin.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, hapi vjen pas ditësh bisedimesh për të diskutuar përpjekjet e pajtimit për t’i dhënë fund ndarjeve politike 17-vjeçare.

Siç bëhet e ditur më tej, gjithsej 14 fraksione palestineze do të përfaqësohen në një takim me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi.

Tensionet janë rritur mes Fatahut dhe Hamasit për shkak të luftës së vazhdueshme të këtij të fundit me Izraelin.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, i cili drejton lëvizjen Fatah, ka kritikuar më parë grupin islamik për luftën, ndërsa Hamasi e ka akuzuar presidentin palestinez se ka marrë anën e Izraelit.

Dy fraksionet kryesore palestineze kanë qenë në mosmarrëveshje që kur Hamasi fitoi zgjedhjet legjislative në 2006 dhe mori kontrollin e Rripit të Gazës në 2007 pas një lufte të shkurtër civile në të cilën shkatërroi forcat palestineze të mbështetura nga perëndimi, besnike ndaj Abasit.

Përpjekjet që nga viti 2007 nga vendet arabe, të udhëhequra nga Egjipti, deri më tani kanë dështuar për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve për ndarjen e pushtetit midis Hamasit, që drejton Gazën, dhe lëvizjes Fatah të Abbasit, e cila përbën “shtyllën kurrizore” të Autoritetit Palestinez.

Marrëdhëniet e Kinës me palestinezët shtrihen në vitet 1960, kur Pekini ofroi ushqim, armë, trajnim dhe mbështetje për Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO).

Dhe kohët e fundit Kina ka “zhvilluar” interesa të rëndësishme financiare në Lindjen e Mesme. /Telegrafi/

Exit mobile version