Shumë profesione në Kosovë janë duke shkuar drejt shuarjes. I tillë është edhe ai i farkëtarit. Por Habib Cena ende e ka ruajtur me fanatizëm këtë zeje që e ka trashëgim edhe nga familja.
“Ju e imagjinoni , unë e ndërtoj” është emri të cilin ia ka lënë biznesit të tij. Kjo për arsye se me anë të zanatit të tij, ai mund të ndërtoj pothuajse gjithçka.
Duke filluar nga gjërat tradicionale e deri tek ato artistike, metalpunuesi Habib Cena ende praktikon një zeje e cila veçse po shuhet.
Ky zanat kërkon shumë durim, por që sipas Cenës ia vlen të punohet.
“Njihet zi zanati i metalpunuesit, farkëtarit apo edhe në gjuhën popullore zanati i kovaçit. Shumica e punëve bëhen me dorë por kohët e fundit teknologjia e ka lehtësuar zanatin”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Habib Cena.
Familja e tij ka shumë kohë që merret me këtë zeje, përcjell Telegrafi.
Cena ka thënë se si i vogël, gjithmonë ka qëndruar me babin e tij në dyqan, i cili në atë kohë njihej si njëri prej metalpunuesve më të njohur në vend.
“Zakonisht kjo zeje trashëgohet nga familja. Unë kam qenë ndihmës i babit qysh në fëmijëri. Gradualisht e kemi avancuar punën duke ju përshtatur edhe teknologjisë së re”, deklaroi, Habib Cena.
Në lokalin e tij, i cili gjendet në Prishtinë, ka gjëra të cilat nuk mund të I shohësh edhe në ndonjë vend tjetër.
Shumica prej tyre datojnë prej dekadave më parë.
Edhe pse ky zanat nuk vlerësohet mjaftueshëm, Habib Cena ka thënë se do të vazhdoj të krijoj gjëra unike të cilat mbajnë gjallë këtë zeje./RTV Dukagjini/Telegrafi/