Site icon Telegrafi

Faqe historie për Kostercin e dikurshëm alias Kastriotin e sotëm të Drenicës

Kur alfabeti shqip mori udhë nga Manastiri

Burimin e fjalës Kosterc studiuesit e kanë nxjerrë nga fjala latine kastella që do te thotë kështjellë. Kështjellë, jetë e punë, ishte Kastrioti i sotëm i Drenicës dhe ashtu mbeti. Jetën aty nuk arriti ta shuaj asnjë pushtues. Atëherë kur historia shkruhej pa shkronja, kur përrallat tregoheshin në heshtje, kur shkronjat e Alfabetit të Manastirit ende nuk kishin filluar rrugëtimin nëpër tokat shqiptare, ndërsa abetarja e parë ishte akoma ëndërr, në Kosterc këngët për liri këndoheshin në heshtje.

Megjithëse mungonin shkronjat, emrat e trimave, asnjëherë nuk mbeten anonim, si edhe vetë autorët e rrëfimeve për heronjtë. Edhe atëherë kur të rënëve nuk u dihej varri, këngët dolën nga dheu. Në përplasjet e mëdha me pushtuesit kurrë nuk pati ligështim. Çdo betejë i bëri më të fortë e më të vendosur. Datat e lindjes dhe vdekjes u munguan burrave atëherë, por nuk u mungoi guximi. Namin e tyre nuk e treti dheu me shekuj. Atyre, vetë toka ua thuri lavdinë.

Atëherë kur shkrim – këndimi shqip ende po bënte hapat e parë, pak kush kishte dëgjuar se diku në Maqedoninë shqiptare, në Manastir, kishte parë dritën alfabeti i gjuhës shqipe ndërsa kolosët e inteligjencës ishin pajtuar për këtë. Ikja e osmanlinjve, trojet e Skënderbeut i gjeti pa shtet, ndërsa fqinjët grabitqar kishin bërë hartat se si do të dukej Ballkani. Në fshatra e qytete, gojë me gojë po përhapeshin lajme për bashkim dhe rezistencë. Edhe kur zhvillimet ogurzeza kishin rrezikuar jetën, ëndrrat për liri, në Kosterc, nuk ishin shuar asnjëherë.

Rrëfimet e heshtura

U përsërit vesh më vesh heroizmi i Rrustem (Plakut) Dervishit i cili luftoi fyt për fyt me malazias në Luftën e Nokshiqit dhe me katër lira ari u shpërblye nga mbreti Zog në Tiranë. Kuranin mund ta bëni be si të doni, por pushkën mos ia dorëzoni pushtuesit, përsëriste Iliaz Spahiu (i njohur si Mullah Ilaz Broja) në të gjitha takimet me popullin. Në Kosterc, askush nuk e nxori nga goja vendqëndrimin e bashkëluftëtarëve të Shaban Palluzhës as emrat e luftëtarëve të betejës së Kolashinit, të cilët nga ky fshat, nuk ishin pak.

Kolonizimi i Kostercit

Kosterci agonte e errej ballë për ballë me pushtuesin e ri. Në një lagje të Kastriotit të sotëm, kish filluar të dallohet trimi Shaqir Smaka Kushdo që ishte spikatur si kryengritës kishte marrë malet. Pushtuesi burgoste këdo që vlerësonte se mund t’ia prishë rehatinë.

Pas kolonizimit të Runikut pushtuesi filloi të vendose ardhacak edhe në arat e Kostercit. Jeta e popullatës ishte rrezikuar. Arat, kullosat dhe malet më të mira kolonët ua morën familjeve Hyseni, Nimani, Spahiu, Dervishi, Hetemaj, Halilaj. Shqiptarët qenë detyruar me dhunë edhe t’ua ndërtojnë shtëpitë fqinjëve kolon. Mbahet mend mirë kulla e gurit e Dikës të cilën ia ndërtuan shqiptaret pa asnjë “metelik”.

Nëse shqiptari ndërtonte ndonjë shtëpi për jetesë ai evidencohej nga kolonët si cak sulmi. Kështu ndodhi edhe me familjen e Ukë Nimanit. Një ditë Uka së bashku me Brahim Nimanin u vranë mizorisht nga kolonët, vetëm pse ishin shqiptar. Në mesin e trembëdhjetë të vrarëve shqiptar për një ditë, Miliq Kerstiqi vret në Izbicë edhe Lam Hetemin e Kostercit. Në shtëpinë-kasolle të Selman Nimanit vritet Stanoja, jo nga shqiptaret, por nga kolonët. Jo rastësisht, ai ishte gjendur në atë familje për të kurdisur vrasjen e katër vëllezërve jetim të familjes së Fekë Nimanit. Kështu vepronte pushtuesi ndaj vendasve. Platforma e përgatitur po zbatohej pikë për pikë. Strategjia e kolonëve ishte e qartë. Presioni ndaj popullatës vendase deri te vrasjet shtohej për ditë.

Burgosja e Shaqirit në Deviç dhe arratisja

Jeta më nuk mund të mendohej pa rezistencë. Një ditë, njëri nga burrat e dalluar të Kostercit, Shaqir Smaka u arrestua dhe u dërgua ne burgun famëkeq, në Deviç. Gëzimi serb për arrestimin e Shaqirit nuk zgjati shumë. Dëshmitarët e kohës kanë rrëfyer se një natë dimri, para arratisjes Shaqiri kishte kuptuar se po e priste likuidimi, dhe për këtë nga stacioni i policisë i komunës së Runikut ishte dërguar një shkresë sekrete. Arratisja e nga burgu i Deviçit atë kohë dukej si një mit. Në heshtje depërtuan fjalë se njëri nga rojet e burgut mund të këtë qenë shqiptar. Por letrën e shkruar për likuidimin e Shaqirit dikush e lexoi para ekzekutimit. Shkëndinë e vetme të mundësisë për arrati e shfrytëzoi Shaqiri. Ai iku nga burgu dhe u strehua në Rakinicë.

Vazhdimi i kësaj rezistence gjatë pushtimit serb dhe austrohungarez nuk ishte i rastit. Çeta e Shaqir Smakës u ballafaqua tre herë me austro-hungarez. Burri i Kostercit ishte cak i Serbisë, ndërsa në ndërkohë ai u bë edhe cak i Austro-Hungarisë. Për qëndresën e Shaqir Smakes në Ticë, në Klladernicë dhe në Bajë afër Runikut kanë folur dëshmitarët e kohës. Në dy betejat e para, Shaqir Smaka ia dha tmerrin armikut. Nga rrethimi i tretë Shaqiri nuk doli i gjallë. Në një kullë guri në fshatin Bajë afër Runikut, ushtaraket austriak u përleshen fyt për fyt me Shaqirin. Luftimet nuk ishin ndalur tre ditë e net. Natën e tretë Shaqir Smaka u vra dhe trupi i tij u dogj në kullë.

Çeta pa Shaqirin, por me Azem Galicën në krye, tërhiqet nga Baja dhe në Kosterc kërkojnë strehim dhe darkë në familjen e Fekë Nimanit, meqenëse ky ishte mik i Sinan Çitakut. (Në asnjë rrëfim nuk është përmendur ky insert për shkak të frikës nga hakmarrja e pushtuesit). Po atë natë, çeta darkoi në odën e Tafë Halitit, po ashtu në Kosterc, dhe aty kaloi natën.

Selman Nimani (edhe ky bashkëluftëtar i Azem Galicës, i plagosur në betejën e Kerrninës dhe i shëruar ilegalisht gjashtë muaj në Prizren) ka rrëfyer për se gjalli të gjitha fjalët e Sinan Çitakut lidhur me luftimet e Shaqir Smakës brenda dhe jashtë kullës në Bajë. Po ashtu, Sinani i rrëfeu mikut të tij se Shaqiri është vrarë dhe trupi i tij është djegur në kullë. Të vrarë kanë mbetur tre austro-hungarez. Tjetër humbje nuk ka pasur. Po atë natë, çeta ka emëruar komandant Azem Galicën.

Koha e lapsit

Vetëm dyzet vjet më vonë, shkronjat e Kongresit të Manastirit në Runik, nxënësve të Kostercit ua mësoi Ramiz Baraku, mësues nga Gjakova. Vetëm kur ta mësoni shkrim leximin dhe kur lapsi do të zëvendësoi gishtin, ëndrrat për liri do të realizohen, thoshte Istref Nimani. “Kosterci fshat intelektualesh” shkruante në një reportazh Mehmet Kajtazi, qysh në vitin 1974, në revistën “Zani i Rinisë”. Aq sa i dhanë emër Kostercit pushkët çlirimtare, po aq e bën të njohur intelektualet që u shkolluan më vonë.
Numri i burrave dhe djemve që iu bashkuan njësive çlirimtare në luftën e fundit është më i madh se i të gjitha periudhave të historisë së bashku. Meritojnë të përmenden edhe autorët që guxuan të përjetësojnë emrat e njohur të rezistencës shqiptare të asaj kohe si; prof. Ahmet Maloku, prof. Nebil Duraku, dr. Ibrahim Çitaku, prof. Bedri Tahiri e ndonjë tjetër.

P.S.
Shkrimi është borxh ndaj atyre burrave të cilët asnjëherë nuk ia kthyen shpinën atdheut.

Exit mobile version