Çmimi botëror i ushqimit u thellua në muajin gusht , si rezultat i korrjeve të parakohshme të drithërave, duke rritur pritshmërinë për rezerva më të mëdha të drithërave. Të dhënat raportohen nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës indeksi i çmimeve të ushqimit u ul me 1.3 për qind nga korriku, me një mesatare prej 176.6 pikë në muajin gusht.
Rënia u ndikua kryesisht nga një ulje prej 5.4 për qind në Indeksin e Çmimeve të Drithërave të FAO-s, duke pasqyruar një rënie të menjëhershme të çmimeve të grurit. Ndërkohë që, rënia e lehtë në këtë indeks për muajin gusht përmbylli tre muaj rritje të njëpasnjëshme. Por pavarësisht kësaj, indeksi i matur për njësi tregtare për çmimet e tregut ndërkombëtar për pesë grupet kryesore të mallrave, mbeti 6 për qind më shumë se vlera e tij e një viti më parë.
Ndërkaq, kjo organizatë rriti parashikimin e saj për prodhimin e drithërave në 2 611 milionë ton, një rekord i gjithë kohërave. Po ashtu, sipas Raportit mbi Kërkesën dhe Furnizimin me Drithë, rezervat botërore të drithërave pritet gjithashtu të arrijnë një nivel të lartë në fund të mbylljes së sezonit në 2018.
Parashikimi i ri i FAO-s tregon gjithashtu për përdorimin më të madh të ushqimit nga drithërat, sidomos grurë dhe oriz, ndërsa përdorimi i tyre për ushqimin e kafshëve parashikohet të arrijë nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
Sidoqoftë, rezervat botërore të drithërave pritet të arrijnë një rekord të lartë prej 719 milion ton, duke u rritur 2 për qind nga nivelet e tyre tashmë të larta në hapjen e sezonit të tanishëm.
Nga ana tjetër tregtia botërore e tyre pritet të rritet me mbi 2 për qind për të arritur 403 milion ton, që përbën një rekord të ri. Parashikimi i fundit i FAO-s është 8 milion ton më i lartë se sa parashikimi i mëparshëm për shkak të kërkesës më të lartë të importit nga Kina, Brazili, Bashkimi Evropian, Republika Islamike e Iranit dhe Meksika. /Telegrafi/