Drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu ka pritur në takim ekipin e projektit të Food Agriculture Organization (FAO), ku është biseduar për zbatimin e Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë në Kosovë 2010 – 2020.
Në takimin, ku ishte prezent edhe Aleksandër Nikolovski- udhëheqës i zyrës së projektit të FAO, është diskutuar për përfundimin e hartimit të planeve menaxhuese për Njësinë Pyjore “Murgull – Bellasicë” dhe për mundësitë e zbatimit të këtyre planeve nga komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR).
Avni Fetahu, i cili është edhe ushtrues detyre i drejtorit të DBPZHR, premtoi angazhim maksimal të drejtorisë, me të gjithë mekanizmat e saj, për zbatim të këtyre planeve menaxhuese. Ai tha se planet me menaxhuese në kuadër të strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë në Kosovë 2010 – 2020, janë shumë të rëndësishme për menaxhimin, zhvillimin dhe ruajtjen e pyjeve në komunën e Podujevës.
Hartimin e këtij plani menaxhues e ka bërë kompania “Arneni”, e cila është kontraktuar nga FAO, ndërsa përfaqësuesi i kompanisë, Isuf Zekaj, prezantoi planin në disa njësi menaxhuese. /Telegrafi/