Rron Kryeziu
Ardhja e kryeministrit te Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndodhi gjatë kësaj periudhe, kur Kosova është në zgjedhje lokale.
Vizitat e përfaqësuesve të shteteve të cilat llogariten si superfuqi botërore, nuk janë te rralla ne Kosovë. Zakonisht çdo president, kryeministër, ministër apo diplomat i cili vjen ne Kosove si përfaqësues i ndonjë shteti, jep mesazhe për ndërtim te mëtejshëm te demokracisë, sundim te ligjit, treg të lirë, zgjedhje të lira, harmoni mes etniciteteve, liri të lëvizjes së lirë dhe liri të shprehjes. Pra, thënë në përgjithësi, që të gjithë këta përfaqësues kanë predikuar për parimet bazë të demokracisë, të cilat janë të domosdoshme për një shoqëri të shëndoshë, si dhe për ndërtimin e shtetit të së drejtës. A e bëri Erdogani të njëjtën gjë? Fatkeqësisht jo! Por pse?
Me datën 23 tetor 2013, u bë inaugurimi i terminalit të ri në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës ‘’Adem Jashari’’. Kryeministri Hashim Thaçi ftoi dy kryeministra, Edi Ramen dhe Erdoganin, që të bëhen “nunë” të terminalit të ri, duke marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit: prerjes së shiritit. Besoj se secili qytetarë i Kosovës është gëzuar për ndërtimin e terminalit të ri. Ky terminal përpos që do t’i ngritë kapacitetet e aeroportit, duke e lehtësuar udhëtimin për qytetarë, e ka edhe një simbolik shumë të çmuar. Aeroportet, duke e mundësuar lëvizjen e njerëzve, mundësojnë lëvizjen e ideve, besimeve dhe ëndrrave. Por, rrallë kush e ka pritur që në terminalin e ri, ende të “virgjër”, për herë të parë mbi të do të ateronin dy “korba”, të cilët do të na kumtonin një zezonë. Një ide të së kaluarës, një besim të së kaluarës dhe një ëndërr të keqe të së kaluarës e cila për ne shqiptarët ishte realitet.
Kjo tendencë e kobshme u zbulua tërësisht pas përfundimit të inaugurimit. Atëherë kur “Sulltani” (Erdogani) dhe ‘Vezirët’’ e tij (Thaçi me Rama) arritën në Prizren, ku i priti ‘’Emiri’’ (Ramadan Muja). Ky manifestim i cili u mbajt në Prizren (në qytetin ku u unifikuan Shqiptarët) kishte karakter tragjikomik, si vals lumturie në sfond të përgjakur. Më duhet t’i largohem diskursit letrar, ngase realiteti është realitet, e jo letërsi, as panoptikum imagjinate.
Duke marrë parasysh se jemi në kohen kur po mbahen zgjedhjet lokale, organizimet e këtilla nuk duhen ta kenë konotacionin e fushatës elektorale, pasi që një gjë e këtillë është e ndaluar edhe me ligj. Por, ligji u shkel si shpesh herë. Treshja e “Madhe”, Erdogan, Thaçi dhe Rama, e përkrahen shprehimisht kandidatin e PDK-së për Prizren, Ramadan Muja. Thaçi iu referua atij si kryetar i tashëm dhe i ardhshëm i Prizrenit. Erdogan e lavdëroi atë dhe punën e tij në Prizren, krejt “rastësisht” në kohën e zgjedhjeve. Ndërsa, prezenca e Ramës ishte befasi, pasi ai në vitin 2009, kur Erdogan shkoi në Shqipëri dhe u takua me ish kryeministrin Sali Berisha, Rama i bëri një mori kritikash. Por, kjo gjë është krejt e kuptueshme për një njeri të kontradiktave dhe standardeve të dyfishta. Në fakt, i tërë organizimi e kishte një dykuptimësi, një polarizim të skajshëm të botëkuptimeve të cilat servoheshin si një ide e vetme.
Deklarata e Erdoganit se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, shprehu haptas planet neo-otomane të Qeverisë turke për një ekspansion modern (kulturor dhe ekonomik) mbi ish vendet e Perandorisë Otomane. Në anën tjetër ishte Thaçi i cili në fjalimet e tij edhe presjet i ka zëvendësuar me termet “Evropa”, “Bashkimi Evropian” dhe “integrim në strukturat euroatlantike”, çuditërisht atë ditë u paraqit si ithtar i neo-otomanizmit. Kjo gjë më së miri vërehet kur ai dhe Erdogani i thoshin njëri-tjetrit vëlla, duke e paralajmëruar një vëllazëri të përhershme, përderisa termi vëllazëri (hermandad, fratellanza etj.) përgjatë historisë kryesisht ka shërbyer si etiketë për grupimet me pikëpamje ekstremiste fetare, mafioze dhe kriminale, që kanë punuar vetëm për interesat e njëri-tjetrit, si p.sh të vëllait apo dhëndrit .
Metodat të cilat aplikohen për qeverisje të brendshme në shtetin e Turqisë nga Erdogani dhe kabinetit ekzekutiv i tij, reflektohen edhe në politikën e jashtme të Turqisë. Ky shtet i rikonsoliduar me reformat e babait të kombit turk, Kemal Ataturkut, ishte projektuar për një kah oksidental (evropian). Mirëpo, qysh prej ardhjes së Erdoganit dhe partisë së tij në pushtet, e njohur si parti me tendenca ekstreme fetare, u lëkundën themelet bazë të demokracisë në këtë vend. Laiciteti i shtetit u vu në pikëpyetje, represioni ndaj gazetareve, mediave dhe opinionit publik tërhoqi vëmendjen e shumë vendeve perëndimore. Shtypja e protestave me dhunë duke e instrumentalizuar ushtrinë shtetërore si vegël të ekzekutivit, bëri që shumë kush ta vë në dyshim kahun evropian të Turqisë.
Projekti i Ahmet Davutoglus (ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë) në bërthamë të vet e ka ‘’ribrendingun’’ e Perandorisë Otomane, duke e synuar një ekspansion të stilit modern. Nuk bëhet fjalë më për pushtim me dhunë, por thirrje për një ribashkim të të gjitha vendeve qe dikur ishin nën Perandorinë Otomane, përmes kulturës, ekonomisë dhe rimodelimit të identitetit. Kjo ideologji orientale nuk përputhet me rrethanat e reja të krijuara në Ballkan. Të gjitha shtetet ballkanike po synojnë për anëtarësim ne Bashkimin Evropian, përderisa Turqia në vitet e fundit nuk po synon drejt evropianizimit , por po tenton që Evropën ta yshtë drejt turqizmit.
Raporti i Kosovës dhe Turqisë është ndërtuar qysh para 500 viteve nën ombrellën e Perandorisë Otomane. Andaj, ka shumë gjëra që na bashkojmë, po aq edhe që na ndajnë. Fillimisht duhet te çlirohemi nga miti se ne jemi një. Një ndër faktorët kryesor, po kurrsesi i vetmi që ndikoi në vonesën tonë historike, është pikërisht pushtimi Otoman. Ky pushtim pamundësoi krijimin e një kohezioni mes shqiptareve, i privoi Shqiptarët nga shkollimi në gjuhën shqipe, për dallim nga gjitha vendet e tjera që e kishin këtë të drejtë gjatë okupimit.
Sot, raportet tona mund te ndërtohen në shumë mënyra tjera, por jo përmes neo-otomanizmit që Ismail Kadare në librin e tij “Mosmarrëveshja” e cilëson si një fantazmë. Kjo fantazmë e së kaluarës nuk duhet lejuar të frymojë mes të gjallëve.
Ka ardhur koha që ne shqiptarët, kudo që qeverisim në Ballkan, të lirohemi nga disa reflekse të trashëguara nga e kaluara. Të çlirohemi nga folklorizmat që në shekullin XXI tingëllojnë perverse. Vëllezër i quanim edhe kinezët, sovjetikët dhe serbët. A mos vallë nuk mjafton të jemi miq apo partner. Të lidhemi përmes traktateve ekonomike, marrëdhënieve bilaterale dhe mekanizmave tjerë me anë të, të cilave bota e perëndimit ndërton marrëdhënie të shëndosha?