Telegrafi

Fansat vendosin lule dhe bëjnë lutje jashtë shtëpisë së Tina Turner në Zvicër

“Dikush si ajo duhet të jetojë përgjithmonë”, tha një nga fqinjët e Tina Turner ndërsa ajo vendosi lule jashtë shtëpisë së legjendës së muzikës në Zvicër të enjten (25 maj).

Barbara Burkhalter ishte në mesin e njerëzve që linin letra dhe mesazhe jashtë vilës së Turnerit në liqenin e Cyrihut, ku mbretëresha e muzikës 83-vjeçare kishte jetuar për gati tre dekada.

Vdekja e Turner të mërkurën (24 maj) shkaktoi homazhe nga liderët botërorë dhe ikonat e tjera të ‘rock’-ut, por edhe nga fqinjët e saj në periferi të Cyrihut, Kuesnacht, ku ylli bënte një jetë të qetë, shkruan DailyMail.

Foto: Getty Images

“Unë solla lule dhe një kartë të vogël. Më duhej vërtet të vija”, tha Burkhalter, 69 vjeç.

“Ne nuk e dëgjojmë më zërin tënd, por ai është ende në zemrën time. Ajo ishte e preferuara ime… Na pëlqente që ajo ishte këtu, por nuk do ta kishim shqetësuar kurrë. Pusho e qetë”, u shpreh ajo.

Buqeta të mëdha dhe lule individuale e dashamirësve po vendoseshin pranë portave të kështjellës, së bashku me qirinj, karta dhe mesazhe të shkruara me dorë për yllin e lindur në SHBA.

Përveç vokalit të saj të lartë dhe pranisë magnetike në skenë, tejkalimi i dhunës në familje nga Turner preku shumë në mbarë botën.

Foto: AFP

Një tjetër fanse, Guia Greaves tha se ajo njihej në vend si një person i sjellshëm dhe një fqinj e mirë, e matur dhe modeste.

“Nuk e di sa herë kalova këtu teksa dëgjoja këngët e saj dhe thashë “Hej, Tina!”, tha Greaves për AFP.

“Dhe vërtet e admiroj atë që ajo simbolizonte për dhunën në familje, mënyrën se si lulëzoi pa urrejtje. Tani kemi thesarin e muzikës së saj dhe duhet të vazhdojmë ta dëgjojmë. Ajo ishte shumë e fortë'”, tha ajo.

Turner u shpërngul në Zvicër në vitin 1995 me partnerin e saj të gjatë Erwin Bach, 67 vjeç. Disa lanë lule drejtuar producentit gjerman.

Foto: AFP

Territori i vilës ka gardhe të dekoruara në mënyrë të përsosur dhe shkurre të mëdha shumëngjyrëshe në nuanca rozë dhe blu.

Shtëpia e bardhë trekatëshe, e cila mbështetet në liqenin e Cyrihut, është e mbrojtur nga rruga me pemë të larta.

“Muzika e saj u bë pjesë e jetës sime si adoleshente dhe më bëri të mendoj se çfarë bëjmë nga kjo jetë”, tha Bryan Mackie, 29 vjeç.

“E dashura ime është një fanse edhe më e madhe se unë. Ajo është shumë e trishtuar, unë solla lulet për të. Ajo solli pasionin për muzikën”, tha ai.

Foto: AFP

Një burrë u gjunjëzua dhe dha tre puthje drejt kështjellës, një grua preku me butësi portat pasi vendosi lule, ndërsa një grua tjetër tha lutjet në italisht.

Një grua, e cila e kishte vizituar tashmë gjatë natës, qëndroi në lot para portave.

Lexo po ashtu Zbulohet fotografia e fundit e Tina Turner para vdekjes së saj

Andrea Brunetti, 47 vjeç, një punonjës italian i IT që jeton në Lucern, la një trëndafil me një zemër dashurie.

“Ajo është gruaja më e bukur në 200 vitet e fundit. Ajo është me të vërtetë një thesar. Ajo është më shumë se një artiste, ajo është një shpirt i bukur”, tha ai.

Foto: AFP

“Ajo gjithmonë ka dhënë 110 për qind deri në fund. Disa njerëz nuk do të vdesin kurrë. Faleminderit Tina, për gjithçka që i ke dhënë njerëzve”, u shpreh tutje ai.

Jerika Seiler, 48, e cila e takoi Turnerin shumë herë në restorantet lokale gjatë 20 viteve të fundit, ndezi një qiri.

Dizajnerja e modës tha se një herë teksa po kalonte pranë vilës së saj, Turner “hapi dritaren dhe tha “Përshëndetje!” dhe buzëqeshi. Unë bërtita nga lumturia!”.

“Ajo ishte kaq e fortë. Mesazhi i saj për jetën, do të më mungojë. Ajo ishte e shkëlqyer në çdo aspekt. Ajo do të jetë gjithmonë thjesht më e mira”, tha ajo. /Telegrafi/