Kombëtarja e Belgjikës po luan ndeshjen e tretë të fazës së grupeve të Euro 2024 kundër Ukrainës dhe sot (e mërkurë) po paraqitet me fanellat e dyta të tyre për këtë turne.
Fanella blu e ekipit belg të futbollit, është bërë për të nderuar filmin e famshëm vizatimor Tintin dhe konsiderohet si veshje që manifeston kryqëzimin e sportit dhe kulturës belge.
Ky edicion special i veshjeve të Belgjikës shquhet jo vetëm për ngjyrën e spikatur blu, por edhe për pantallonat kafe që plotësojnë fanellën, duke krijuar veshjen klasike të personazhit të famshëm komik të krijuar nga karikaturisti Georges Remi, i njohur me emrin artistik Herge.
Dizajni i bluzës është elegant dhe plot detaje që i bëjnë nder figurës Tintin. Ngjyra blu lidhet me shumë me aventurat e tij dhe kostumin ikonik, ndërsa pantallonat ngjyrë kafe plotësojnë veshjen, duke i referuar drejtpërdrejt pamjes karakteristike të Tintin, që edhe e krijon një lidhje vizuale të menjëhershme me personazhin.
Ky nderim nuk është thjesht estetik. Tintin, një ikonë belge e njohur globalisht, simbolizon vlera të tilla si trimëria, kurioziteti dhe shpirti aventuresk, cilësi që janë gjithashtu themelore në sport.
Duke nderuar një hero që ka frymëzuar breza, kjo fanellë nxjerr në pah krenarinë kombëtare belge si brenda edhe jashtë fushës së lojës. /Telegrafi/