Një prej librave më të shitur dhe të përfolur në Panarin e fundit të Librit në Tiranë, “Fan Noli – Apostulli” i gazetarit Ilir Ikonomi vjen këtë javë edhe në Prishtinë.
Në organizimin e Librarisë Dukagjini, promovimi do të mbahet të mërkurën, nga ora 18:00, ku i pranishëm do të jetë edhe autori Ilir Ikonomi.
Ky libër i botuar para dy javësh është vëllimi i parë dhe trajton jetën e njërit prej figurave nacionale shqiptare më të rëndësishme të shekullit XX.
Vetë Ikonomi, në një postim të tij në rrjetet sociale, ka shprehur dëshirën dhe kënaqësinë të jetë edhe në Prishtinë për ta prezantuar librin e tij të fundit. Ai ka botuar edhe disa biografi të tjera sikurse për Faik Konicën, Esat Pashë Toptanin, Ismail Qemalin etj.
Javë më parë, Libraria Dukagjini promovoi edhe romanin më të ri të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ben Blushi “Komploti”.