Site icon Telegrafi

Familjari i Bahri e Fahri Fazliut: Banesa ku është kryer bastisja ka shërbyer si bazë e UÇK-së

Banesa e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu në Prishtinë, ku këtë të martë kryen bastisje Gjykata Speciale e Hagës, ka shërbyer si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në përfundim të luftës në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media familjari i dëshmorëve, Fadil Fazliu, i cili ka treguar se iu është konfiskuar një telefon, disa fotografi familjare e shoqërore dhe laptopi i punës.

Lexo po ashtu Përfundon bastisja në banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, avokati thotë se zyrtarët e Speciales kanë marrë disa dokumente

“Gjërat që nuk ishin në letër për t’u konfiskuar, ato u konfiskuan”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk kanë dyshime se për çfarë është kryer kjo bastisje.

“Kjo banesë ka shërbyer si bazë e UÇK-së deri në përfundim të luftës, por edhe sot është banesë e shoqërisë e shokëve tanë. Nuk ka kryeministër që nuk ka qenë këtu”.

Sa i përket sjelljes së pjesëtarëve të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Fazliu ka thënë se ishte shumë korrekte.

“Të gjitha dokumentet që i kanë marrë, i kanë palosur prapë në vendin që kanë qenë. Aty ka pasur fotografi të dëshmorëve, por nuk iu interesonte. Asnjë pyetje s’na e kanë bërë”, është shprehur tutje ai. /Telegrafi/

Exit mobile version