Qytetarë nga Krusha janë duke protestuar kundër uljes së dënimit ndaj Darko Tasiq, i dënuar për masakrën në Krushë të Vogël, në 1999, në Kosovë.
Familjarët e viktimave e kanë quajtur të pa drejt vendimin e Gjykatës së Apelit për uljen e dënimit, transmeton Telegrafi.
Shpresa Shehu, përfaqësuese e fshatit Krushë tha se vendimi është shumë shqetësues.
“Do presim të del dikush nga Gjykata e Apelit, dhe t’i thotë disa fjalë. Është i vetmi që është dënuar, dhe prapë ia ulin dënimin”, tha ajo.
Para disa ditësh, Gjykata e Apelit të Kosovës ka njoftuar se ka ulur dënimin për Darko Tasiq.
Gjykata ka vendosur uljen e dënimit nga 22 në 11 vjet, përfshirë edhe periudhën e paraburgimit.
“Gjykata e Apelit, gjeti se në veprimet e të akuzuarit, të ndërmarra gjatë luftës se fundit në Kosovë, konkretisht ndërmjet datës 25-27 mars 1999, përmbushen të gjitha elementet e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë( LPRSFJ), vepër kjo sanksionuar edhe sipas nenit 3 Konventës së Gjenevës dhe protokollit të dytë të saj”, kishte njoftuar Gjykata e Apelit. /Telegrafi/