Familjarët e Reshide Vejsa kanë fajësuar mjekët e një klinike private në Prishtinë për vdekjen e nënës së tyre.
Ideal Vejsa, në një emision për RTK-në, ka treguar se nënën e tyre e kishin dërguar për një operacion, por që gjatë përgatitjes për intervenim, asaj i ishte përkeqësuar gjendja dhe ka vdekur, transmeton Telegrafi.
“Nënën e kemi dërgu për intervenim në gjuhë. Në 2019 e dërguam nënën për analiza paraprake, që të gjitha dolën mirë, mbushëm formularët, dhe nëna u shtri për përgatitje për intervenim. Infermierët kanë përgatitur infuzionin, ku ka pasur edhe antibiotik, pra, antibiotiku ka krijuar një reagim, motra ka qenë aty, por nuk ka ditur se si të reagojë… ka filluar t’ia kontrolloi tensionin, nëna ka filluar të ketë nxehtësi… ka filluar të ketë disa shenja në trup. Kur ka ardhur infermierja e ka ftuar anesteziologun, derisa ka ardhur ai, nënës iu ka përkeqësuar gjendja, dhe në momentin e para që nuk kanë reaguar ka shkaktuar vdekjen e nënës”, deklaroi Vejsa.
Djali i të ndjerës tregoi se ajo kishte pasur të gjitha organet vitale në gjendje të mirë shëndetësore.
Tutje, ai ka kërkuar drejtësi për rastin, derisa tregoi se lidhur me rastin janë ndërruar disa prokurorë.
Lidhur me rastin, nuk ka pasur ndonjë reagim nga klinika Royal Medical, ku edhe kishte ndodhur rasti në vitin 2019./Telegrafi/