Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajrami në seancën e djeshme të Kuvendit, e ka quajtur skandal vendimin e Qeverisë Haradinaj për ndarjen e mjeteve për familjet e të dënuarve dhe të vrarëve në ngjarjet e Kumanovës.
“Janë mbi 50 vendime të Qeverisë, nga më skandalozet, ku ndahen para qoftë për të quar veteranët në deti ose në baja pas 20 viteve, qoftë kur ndahen para familjeve të akuzuarve për terrorizëm në ‘Rastin Kumanova’”, ka deklaruar Hymete Bajrami.
Në anën tjetër familjarët e Valdet Zekës, i dënuar me burgim të përjetshëm pas ngjarjeve në Kumanovë, ndjehen të indinjuar pas fjalimit të deputetes Hykmete Bajrami.
“Hykmetja mbrëmë ka folur fjalë që mund t’i quaj marri. Ajo përmend një ndihmë që kryeministri Haradinaj u ka dhënë çlirimtarëve. Gabon Hykmetja kur ata i quan terroristë, sepse nëse ata janë terroristë atëherë e gjithë Ushtria Çlirimtare janë të tillë”, deklaron për RTV Dukagjinin Smajl Zekaj, babai i Valdetit, përcjell Telegrafi.
Edhe nëna e Valdetit, Shyhrete Zekaj thotë se fjalimi i deputetes Bajrami ka qenë politik. Ajo thotë se djali i saj nuk ka shkuar në Kumanovë për para, por sipas saj ai ka shkuar për ndjenja shqiptare.
“Kam shumë qejf të takohem me Hikmete Bajramin, dhe t’i tregoj se djali im ka boll dhe nuk ka shkuar për para. Tjerët nuk kanë por kanë shkuar [në Kumanovë] për ndjenja shqiptare që kanë. Nuk kanë shkuar për përfitime. Unë e respektoj Ramush Haradinajn që i vetmi ai ka bërë diçka për këta djem. Zoti e bekoftë. Zoti në qiell e qoftë”, deklaron e ëma e Valdet Zekës, Shyhrete Zekaj.
Qeveria e Kosovës kishte ndarë një fond prej 290 mijë eurosh si ndihmë për familjarët e të dënuarve nga “rasti Kumanova”./RTV Dukagjini/