Site icon Telegrafi

Familjarët e të vrarëve në Mejë ankohen se punëkryesit nuk ua kanë kthyer fotografitë

Anëtarë të Shoqatës 27 prilli 1999-Mejë, kanë thënë sot se po luhet një lojë e madhe me fotografitë e të zhdukurve, duke shtuar se ata janë duke i vrarë për së dyti.

Haki Sadriu, përfaqësues i shoqatës tha se janë takuar edhe me zyrtarë komunalë të Gjakovës edhe me punëkryesin e kompleksit në Mejë, por nuk janë lejuar që t’i marrin fotografitë e familjarëve të tyre.

Ai tha se për këtë e kanë lajmëruar edhe Policinë por fotografitë e më të dashurve të tyre nuk u janë kthyer.

Këto ankesa përfaqësuesit e kësaj shoqate i kanë paraqitur para anëtarëve të Komisionit për të drejtat e njeriut, ku kanë pasur të raportojnë edhe përfaqësues të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se problemin e kanë me punëkryesin.  Zogaj tha se ende nuk kanë arritur të sigurohen fotografitë, duke shpresuar që brenda dy jave do të arrihet të mbyllet kjo temë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu tha se sa më parë çështja e fotografive duhet të zgjidhet, sepse sipas saj kushtëzimi i tyre, është më shumë se shkelje.

“Është përgjegjësi e secilit që sa më parë ta përmbyllim këtë proces, të masakrës së Mejës”, tha Haxhiu.

Anëtarja e komisionit, Luljeta Veselaj nga PDK ka apeluar institucionet që sa më parë të zgjidhet kjo çështje. “Apelojmë që sa më parë të zgjidhet kjo çështja ,nuk guxojmë të luajmë me ndjenja të familjarëve që nuk dinë ende për familjarët e tyre”, tha ajo.

Selim Zymeri i Shoqatës 27 prilli Mejë, tha se janë kokulur para familjarëve, për shkak të pushtetit.

“Na jemi në hall, krejt këtë punë e bëjmë me pare të tona. Nuk kemi faj që kompanitë nuk po merren vesh mes veti”, tha ai.

Sipas Bislim Zogajt, projekti për Kompleksin Memorial në Mejë do të kushtojë 1 milion e 600 mijë euro. /KP/

Exit mobile version