Familjarët e të pagjeturve kanë kërkuar që të marrin pjesë si anëtarë të delegacionit gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë, në Bruksel. Ata thonë se kanë humbur besimin tek përfaqësuesit e shtetit për të sjellë trupat e të afërmeve të tyre nga Serbia.
Sipas tyre institucionet e shtetit dështuan për 17 vite që të bëjnë presion për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
Për këtë arsye, familjarët e shohin pjesëmarrjen e dy prindërve në delegacion si një shpresë që të adresohet siç duhet rasti i të pagjeturve në Bruksel.
Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave” ka thënë se është koha e fundit që fati i të pagjeturve të bisedohet në Bruksel. “Frikësohem se familjarët do të vdesin duke shpresuar që t’ju sjellin trupat e të afërmeve të tyre”.
Ajo thotë se janë bërë 17 vjet dhe përveç presionit nga ana e familjarëve nuk ka pasur ndonjë presion tjetër. Kumnova thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë kryer obligimin e tyre ndaj të pagjeturve si qytetarë të këtij vendi. Në mesin e 35 të pagjeturve nga Gjakova gjendet dhe biri i saj Albioni. Kumnova thotë se duhet presion më i madh vendor dhe ndërkombëtar tek Serbia.
“Serbia ka bërë krime në Kosovë me planprogram dhe i disponon të gjitha të dhënat se ku ndodhen njerëzit tanë”, thotë ajo.
Kumnova thotë se neglizhenca e institucioneve të Kosovës në raport me të pagjeturit, ka shtyrë familjarët të kërkojnë përfaqësim në takimet në Bruksel. /Zeri/