Bedri Ajdari familjar i të burgosurve në rastin “Monstra”, në emër të familjarëve të burgosurve politik dhe në emrin e Këshillit për organizimin e protestave kundër rastit “Monstra” me anë të një letre publike fton shqiptarët të përkrahin protestat mbarëshqiptare të 9 majit, si dhe të gjitha protestat e ardhshme shqiptare deri në largimin e plotë të kësaj qeverie, siç thuhet në letër të korruptuar, kriminalizuar dhe tërësisht antishqiptare.
“Nisur nga gjendja e mjerueshme e shqiptarëve në këtë shtet, e cila edhe më tutje vazhdon të përkeqësohet , e posaçërisht nevoja e madhe për drejtësi për familjarët tanë nga procesi i montuar politik i rastit “Monstra”. Nisur nga fakti që nuk kemi fare besim në gjyqësinë dhe drejtësinë e pushtetit maqedonas i cili vazhdimisht i vret dhe burgos shqiptarët e pafajshëm. Nisur nga fakti që ndajmë dhimbje me të gjitha familjet e shqiptarëve të vrarë dhe të atyre të burgosur nga ky pushtet i dhunshëm dhe antiperendimor. Nisur nga e vërteta e madhe se vetëm me largimin e kësaj qeverie, ne familjarët e të burgosurve të pafajshëm nga rasti i montuar “Monstra” mund të shpresojmë në drejtësi dhe liri për të afërmit tanë. Nisur nga e vërteta edhe më e madhe se vetëm me largimin e kësaj qeverie antishqiptare do të ndaleshin nënçmimet, torturat, burgosjet dhe vrasjet e shqiptarëve”, thuhet në letër.
Familjarët e të burgosurve për rastin ‘Monstra’ një majin e vitit 2012 e kujtojnë si një ndër ditët më të këqija të jetës së tyre, pasi që trauma e aksionit policor të zhvilluar para katër viteve ende nuk ka kaluar. Ata thonë që ju vjen keq që ka ndodhur vrasja e pesëfishtë afër liqenit të Smillkovës, për të cilën familijarët e tyre janë burgosur përjetësisht, por që janë të pafajshëm dhe se vrasësit e vërtetë duhet të zbulohen, njofton Portalb.mk.
Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm.
Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë./Telegrafi/