Datat 9 dhe 10 maj të 2015-së do të mbeten gjatë në memorien e familjarëve të arrestuarve në rastin “Kumanova”.
U bë një vit dhe familjarët ende presin që institucionet e Kosovës të reagojnë për mbrojtjen e qytetarëve të tyre, të cilët ende janë nëpër burgjet e shtetit maqedonas.
Violeta Bujari është bashkëshortja e një prej të arrestuarve në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë të Maqedonisë, Ardian Bujari.
Violeta Bujari
Ajo ende ndihet shumë e shqetësuar për fatin e bashkëshortit të saj, i cili mbahet i burgosur në burgun e Manastirit, në qeli të vetmisë.
Në një intervistë për Telegrafin, Violeta kërkon nga institucionet e Kosovës që të interesohen për të burgosurit e rastit “Kumanova”, pasi ende asgjë nuk është bërë për ta.
Ajo tregoi po ashtu telefonatën e fundit që e pati me Ardianin, në momentin para se të arrestohej nga policia maqedonase.
“Më 9 maj është arrestuar. Para arrestimit Ardiani ka thërritur në telefon dhe i ka kërkuar vajzat për të folur me to. Në pamundësi për t’i gjetur vajzat më tha këto fjalë ‘Na ka ndodh diçka shumë e tmerrshme. Letë këqyri qikat, a dal apo jo gjallë nga këtu s’di çka me të thanë’. Unë në telefon dëgjoja shumë krisma dhe zhurma. Nuk e dija ç’po ndodh, pasi nuk ka treguar që do të marrë pjesë në Kumanovë”, tha Violeta, e cila gjatë gjithë kohës sytë i mbante tek fotografia e Ardianit.
Lajmin e arrestimit të Ardianit, ajo tregoi se e kanë marr pas tre ditëve në kanale televizive.
“Nuk e dinim a është gjallë apo i vdekur. Ishim komplet familja dhe rastësisht emri i fundit i të arrestuarve ishte i Ardianit. U gëzuam që është gjallë, por të shqetësuar se çdo të ndodh tash me të”, tha bashkëshortja e Ardianit.
Ardian Bujari
Ndërsa vëllai i Ardianit, Artani, ishte i pari që i bëri vizitë në burgun e Shutkës në Shkup të Maqedonisë.
“Vizitën e parë, ia ka bërë vëllai i tij. Gjendjen se ka pas hiç mirë, ka qenë i rrahur dhe i maltretuar. Hundën e thyer. Pas një muaj e gjysmë e kam takuar unë. E kam pyetur dhe vetëm i ka çuar duart përpjetë. Katër ditë në fillim e kishin maltretuar. Po edhe ai nuk flet shumë. Vizitat i kemi çdo dy javë”, tregoi Violeta, duke shtuar se Ardiani qëndron shumë i heshtur dhe pret që drejtësia të vij në vend.
Katër persona sipas Violetës nga grupi i Kumanovës i kanë dërguar në burgun e Manastirit, të gjithë nëpër qelitë e vetmisë dhe me kushte shumë të rënda.
“Vepra që iu ka ngrit në grup është si ‘Organizatë Terroriste’. Në burgun e Manastirit janë edhe Sami Ukshini (komandant Sokoli), Shefqet Hallaqi dhe Beg Bajraj”, tha ajo, të cilës iu dridhte zëri gjersa fliste nga mërzitja që e kishte kapluar.
Institucionet e Kosovës janë shumë të heshtur sipas Violetës, edhe pse Këshilli i familjarëve kanë bërë kërkesa, por s’ka asgjë.
“Më datë 13 maj e kanë gjykimin e radhës. Deri në fund të majit kanë gjykime”, tha ajo me shpresë që do të bëhet diçka.
Ndërsa, Artani, vëllai i Ardian Bujarit tha se po i bëhet një padrejtësi e madhe dhe institucionet e Kosovës janë duke qëndruar pa bërë asgjë.
“Ardiani është njeri shumë i qetë, asnjëherë s’ka bërë gjëra të këqija. Ka punuar, ka krijuar familje, i ka dy vajza. Se di ç’po ndodh, jemi të shqetësuar. Ai ka qenë duke punuar, shpërndarës i barnave nëpër tetë barnatore. Shteti ynë asgjë s’po bën”, tha ai.
Artani shpjegoi për Telegrafin momentin e parë kur ka shkuar në Shutkë të Shkupit, për ta takuar vëllanë e tij.
Artan Bujari
“Nga ora dhjetë e mëngjesit deri në orën shtatë në mbrëmje kam prit për të hyrë që ta takoj. Kur e kam pa parë tmerr ishte. S’kishe ç’të shihje. Më ka pa dhe u frikësova thash çka i kanë bërë. I thash ‘qysh bre’, ma ngriti një dorë lart dhe më tha ‘Kam lindur për së dyti’. Aty e pash kur e ngriti dorën që ishte i vrarë. Hundën e ka pas shumë keq dhe fytyrën. Kur u ngrit për tu përshëndetur e kam pa duke ecur, që nuk ishte mirë. Fizikisht i lodhur. Dhjetë minuta kam qëndruar. Ai e donë vetëm të vërtetën”, tha Artani, me shpresë që do të bëhet diçka për ta.
Mirëpo Violeta dhe Artani shpresojnë shumë që e vërteta do të dalë dhe një ditë do të jetojnë të lumtur, siç kanë qenë dikur.
Bashkë me Ardian Bujarin janë edhe 28 persona shqiptarë të burgosur, kryesisht nga Kosova. Ata janë ende në procedurë gjyqësore, ku disa herë kanë deklaruar se janë pafajshëm. /Elfije Boletini/Telegrafi/