Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, është nisur për në burg për të vuajtur dënimin për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.
Ai është përcjell nga familjarët, miqtë e shokët.
“Sot vëllai jonë Ganiu po i përgjigjet vendimit të gjykatës i dënuar me 3 vjet e gjashtë muaj. Ne si vëllezër me djemtë tonë dhe miqtë e shokët po e përcjellim që vëllai jonë me përkushtim i nënshtrohet dënimit”, ka shkruar në Facebook njëri nga familjarët, Halil Geci.
Ai ka uruar që Gani Geci të kthehet sa më shpejt në shtëpi “me nder si gjithmonë”.
“Gjithmonë se bashku do ja dalim”, ka përfunduar Halil Geci.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burgim për ish-deputetin Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 4 qershor 2021, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv. /Telegrafi/