Telegrafi

Familjarët e Donjeta Pajazitajt presin që rasti të kthehet në rigjykim

Familjarët e të ndjerës Donjeta Pajazitajt, e cila u vra në vitin 2015, presin që Gjykata e Apelit të marrë një vendim të drejt ose që lënda të kthehet edhe një herë në rigjykim.

Sot kur Gjykata e Apelit ka dëgjuar ankesat e prokurorisë, vëllai i Donjetës, Shkëlqim Pajazitaj, ka thënë se tash pritet që të merret vendimi.

Pajazitaj thotë se shpresojnë që të jetë një vendim sa më i drejtë.

Ai ka treguar edhe disa nga faktet që kanë paraqitur në Gjykatën e Apelit, e që sipas tij, janë fakte të mjaftueshme që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit Naser Pajazitaj.

Derisa mbahej seanca, një grup i grave nga Rrjeti i Grupit të Grave, kanë mbajtur një protestë paqësore ku kanë kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta marrin seriozisht rastin e të ndjerës Donjeta Pajazitaj.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave, ka thënë se kanë dalë në protestë për të përkrahur familjarët e të ndjerës, si dhe të bëjnë më shumë presion tek sistemi i drejtësisë që të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore të merren seriozisht.

Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, e ka shpallur Naser Pajazitin të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015, ndërsa, e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër për armëmbajtje pa leje.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.