Një grup qytetarësh dhe familjarë të së ndjerës Zejnepe Berisha kanë protestuar sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke kundërshtuar kështu vendimin e Gjykatës së Prizrenit, e cila dënoi Nebih Berishën me 12 vite burg për vrasjen e gruas së tij, Zejnepes.
Motra e Zejnepes, Hajrie Thaçi me këtë rast tha se ky është një dënim shumë i ultë.
“Fëmija kanë mendu që ja japin 20 vjet e më lartë, na krejt kemi mendu ashtu. Kur e kemi ndëgju lajmin që 12 vjet, sikur të kish qenë në rrugë me e bo një ndeshje edhe me kalu. E meriton më tepër, ka bo krim, çka nuk ka bo kërkush në Kosovë. Gjithmonë ka qenë e shkelur. 16 vjet më të ka jetu, 16 ditë të mira nuk i ka pasë”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, Nebih Berisha është dënuar me 12 vjet e gjashtë muaj burg për vrasjen bashkëshortes së tij Zejnepe Berishës.
Ai akuzohet se në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij duke përdorur një thikë e privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berisha dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij.
Vrasja e Zejnepe Berishës kishte nxitur reagime të shumta nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komuniteti në Suharekë. /Telegrafi/