Një familje në Hajvali po përballet me kushte të rënda të jetës. Përveç vështirësive që kanë për ushqim dhe veshmbathje problemi kryesor i familjes Aliu është çështja e banimit.
Ata nuk kanë mundësi që të ndërtojnë shtëpi pasi që jetojnë vetëm me ndihma sociale.
E zonja e shtëpisë Sadije Aliu, tregon se aktualisht janë duke jetuar në katin e dytë të shtëpisë së kunatit.
Dëshira e saj e vetme është që dy fëmijët e saj ta kenë një kulm mbi kokë.
Sadija tregon se burri i saj nuk mund të punojë sepse ka probleme me boshtin e kurrizit, ndërsa sipas saj edhe pse ai vazhdimisht kërko, punë nuk mund të gjejë.
“Na jetojmë katër anëtarë, shpinë nuk e ka bërë burri, por e ka bë vjehrri po është me kunatin. Burri punon kush ta thirre kapak kështu, me social jetojmë, pe sheh edhe vetë kushtet qysh janë. Me na ndihmua kurrkush valla, përveç socialit që e marrin 91 euro edhe burrin që po e thirrin ndonjëherë me punua kur po mundet. Ai prej midisit diçka nuk është mirë, po i dhemb midisi nuk mundet të përkulet”, tha Aliu.
Ajo tregon se me ndihmën sociale që e marrin çdo muaj nuk mund t’ia dalin që të blejnë gjërat elementare.
Sadija thotë se nganjëherë ndihmohet edhe nga familja e saj, por që edhe ata sipas saj nuk kanë mundësi gjithë të ndihmojnë.
“Po tybe socialin tu e kursye qashtu, po na del diqysh, ndonjë pare kur po shkoj tek familja jem po e marrë, 10 ose 15 varet tash se edhe ata po i kanë problemet e veta, gajlet e veta”, theksoi ajo.
Dy fëmijët e kësaj familje, vajza 8 vjeçare e djali 6 vjeç të hënën pritet të fillojnë vitin e ri shkollor, por që nëna e tyre thotë të mos kenë pasur mundësi t’iu blejnë as fletore dhe gjëra të tjera të nevojshme për shkollë.
“Vajza i ka 8 vjet, djali i ka 6, sivjet kanë me shkua në shkollë çika është në klasë të tretë, djali fillon sivjet klasën e parë…hale nuk i kemi blerë kurrgjë për shkollë, s’kena marrë kurrgjë hale kurrgjë”, tha ajo.
Familja Aliu të vetmen shpresë thotë ta ketë që të del dikush që t’iu ndihmojë në ndërtimin e shtëpisë. /KP/
Foto: Ilustrim