Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur shqyrtimi kryesor në rastin ku palë e paditur është Byroja Kosovare e Sigurimeve.
Në aksidentin rrugor të datës 7 shtator 2015, në fshatin Firzë të Gjakovës Albert Morina pëson dëmtime të mëdha dhe përfundon me fatalitet.
Përfaqësuesja e familjes Morina, Albana Morina, ka bërë parashtresë nëpërmjet faksit më 10 maj 2018, përmes të cilës ka kërkuar që të ftohet ekspertja për të dhënë sqarime shtesë lidhur me aksidentin e 7 shtatorit 2015.
Gjyqtari Drilon Haraçia këtë propozim e miratoi dhe do ta ftojë eksperten Gresa Shabani në mënyrë që të japë sqarim shtesë lidhur me ekspertizën e përpiluar në formë të shkruar.
I autorizuari i palës së paditur, Rrustem Lajçi, nuk pati kundërshtime lidhur me propozimin e parashtruar nga paditësja Albana Morina.
Prandaj, gjyqtari seancën e radhës e caktoi për më 17 korrik.
Në përshkrimin e rastit në padi thuhet se më 7 shtator 2015 rreth orës 14:50 në fshatin Firzë të komunës së Gjakovës, makina BMW, të cilën po e drejtonte Zeqir Kursani e pronar i së cilës Bekim Dedaj, ndeshet me motoçikletën “Mondial” të cilën po e drejtonte Albert Morina.
Sipas raportit në vendin e ngjarjes si dhe raportit të zgjeruar me foto të vendit të ngjarjes mund të konstatohet se fajtor për aksidentin është ngasësi i makinës BMW, Zeqir Kursani, thuhet në padi.
Andaj paditësja kërkon si dëmshpërblim shumën rreth 43 mijë euro.