Telegrafi

Familja Jashari pret edhe pak të sqarojë akuzat dhe kundëakuzat e Selimit, Gecit dhe Lladrovcit

Akuzat dhe kundërakuzat në të cilat janë përfshirë Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Shqipëri dhe Gani Geci, ish deputet dhe ish luftëtar i UÇK-së, në një formë a tjetër, kanë implikuar edhe familjen Jashari.

Në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në ditën kur Hashim Thaçi pritej të zgjidhej president i vendit, Rexhep Selimi, ndër të tjera, i pati thënë Thaçit se “e do për president aq sa e do familja Jashari – jo sa Adem Jashari se do ta kuptonte si kërcënim”.

Këto fjalë kanë nxitur reagimin e ambasadorit Ramiz Lladrovci i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se e ka shpëtuar miqësinë mes Jasharjave dhe Selimit dhe se raportet e të dy palëve nuk ishin aq idilike siç i ka përshkruajtur Selimi. Ai po ashtu ka thënë se ka video dhe audio inçizime për këtë gjë, të cilat Selimi ka kërkuar të publikohen nëse i posedon Lladrovci.

Në këtë “luftë fjalësh” është inkuadruar edhe Gani Geci i cili ka thënë se “Rexhep Selimi është kryepërçarësi i UÇK-së”, ndërsa është tallur me votat që Selimi i ka marrë në fshatin e tij të lindjes në Aqarevë. Sipas Gecit, fjalët e Lladrovcit për raportet e Adem Jasharit me Rexhep Selimin mund të jenë të vërteta, pasi Bashkim Jashari, i biri i Murat Jasharit – vëllait të komandantit Adem Jashari – ka thënë, në përvjetorin e parë të familjes, se nëse Selimi shfaqet aty, do ta vrasë në vend.

Deputeti Selimi u është përgjigjur edhe këtyre fjalëve, duke u tallur me thirrjen akademike të ambasadorit Lladrovci dhe pozitën e Gecit – pas dy vrasjeve të bëra.

Klan Kosova ka kontaktuar me familjen Jashari për ta sqaruar këtë situatë dhe Murat Jashari ka thënë se “për shkak të përvjetorit të familjes, situata do të analizohet më vonë, kur edhe do të dilet me një qëndrim”.

Mbetet të shihet nëse akuzat mes këtyre akterëve do të vazhdojnë, deri kur dhe çfarë do të ndodh kur familja Jashari të ketë një qëndrim të sajin për këto akuza e kundërakuza. /Klan Kosova/