Telegrafi

Familja e ushqeu me gjak të breshkës për ta mbrojtur nga coronavirusi – vdes foshnja pesëmuajshe në Republikën Dominikane

Një vajzë pesëmuajshe ka ndërruar jetë në Republikën Dominikane, pasi familja e saj e ushqeu me gjak breshkash për ta mbrojtur atë nga COVID-19.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përveç foshnjës, motra e saj shtatëvjeçare dhe prindërit u shtruan në spital pasi e konsumuan gjakun e breshkës, si pjesë e një ilaçi që iu rekomandua atyre nga një doktor popullor.

Raportohet se foshnja tashmë ishte e vdekur në kohën kur arriti në Spitalin Rosa Duarte në Commendador, ndërsa gjendja e familjarëve të saj është stabile.

“Këto lloje të rasteve shkaktohen nga njerëz që mendojnë se këto pije mund të kenë cilësi kurative, por mund të përfundojnë të jenë vdekjeprurëse”, ka thënë Drejtoresha e spitalit Dahiana Volquez. /Telegrafi/