Site icon Telegrafi

Familja e Thaçit kërkon mirëkuptim ndaj vizitorëve për shkak të COVID-19: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Pas ngritjes së aktakuzës nga Specialja kundër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shumë qytetarë në shenjë mbështetje kanë shpreh dëshirën që ta vizitojnë familjen e Thaçit, në Burojë.

Por për shkak të situatës pandemike me COVID-19, familja e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi janë detyruar që të lëshojnë një deklaratë për media, për të sqaruar të gjithë ata që kanë pasur dëshirë t’i vizitojnë.

Sipas  njoftimit për media situata pandemike ka bërë që të mos mund t’i hapin dyert e shtëpisë për të pritur mysafirë.

Lexo po ashtu Presidenti Thaçi nga Rinasi: Të dielën do t'i drejtohem qytetarëve të Kosovës

Ata thonë se u janë falënderues të gjithë atyre që kanë shprehur dëshirën për t’u solidarizuar me të birin e tyre pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Lexoni të plotë njoftimin e familjes së presidentit Thaçi:

Të nderuar familjarë, miq dhe bashkëkombës,

Ditët e fundit ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të të afërmve të familjes, miqve dhe qytetarëve për të na vizituar në shtëpinë tonë në Burojë, në shenjë solidarizimi për momentet sfiduese nëpër të cilat po kalojmë.

Jemi thellësisht mirënjohës për interesimin tuaj dhe për solidarizimin me ne si familje. Mirëpo, për shkak të pandemisë e kemi të pamundur që t’ju presim në shtëpinë tonë sipas nderit, traditës së familjes dhe të popullit tonë.

Shëndeti juaj është shumë më i rëndësishëm se gjithçka tjetër!

Jemi falënderues përjetësisht për mbështetjen që keni treguar për më tepër se dy dekada për birin, babanë dhe vëllain tonë, presidentin Hashim Thaçi, i cili me gjithë qenien e tij ka punuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, e as ta zhbëjë sakrificën e shqiptarëve për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Ju faleminderit nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme.

Me respekt,

Familja Thaçi, Burojë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version