Familja e policit të ndjerë Izet Demaj, i vrarë në Istog gjatë përballjes me grabitësin e bankës, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në aksionin për ndihmë materiale kësaj familjeje dhe ka kërkuar nga dy kompanitë e telefonisë VALA dhe IPKO që të ndërpresin aksionin për grumbullimin e ndihmave.
Në njoftimin për media, thuhet se “Familja e policit të vrarë në detyrë, Izet Demaj, duke i konsideruar qëllimmirë dhe duke qenë mirënjohëse dhe falënderuese, ndaj bizneseve dhe personave që kanë kontribuar, në emër të bashkëshortes së Izetit, vëllezërve dhe familjes së ngushtë, kërkojmë nga dy kompanitë komunikuese, Ipko dhe Vala, të ndërpresin aksionet për grumbullimin e mjeteve financiare”.
“Familja e Izet Demaj është nën përkujdesjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, andaj prej këtij momenti çdo iniciativë për ndihmë financiare nuk mund të bëhet pa pëlqimin e familjes së Izet Demajt”.
“Familja Demaj shpreh edhe një herë mirënjohje dhe falënderim për të gjithë!”, thuhet në njoftimin e kësaj familjeje. /Telegrafi/