Ish i burgosuri politik, Nimon Krasniqi, ka rrëfyer përjetimet e torturat që i janë bërë kur u burgos për arsye politike nga ish-regjimi i Serbisë i viteve 90-ta.
Një pjesë e këtij rrëfimi është edhe pjesa kur familja e tij e kishte angazhuar një avokat shqiptar me shpresë se do t’i ndihmonte të mos dënohej, apo të paktën të mos dënohej rëndë nga gjykata famëkeqe e Jugosllavisë.
Ai në “Debat Plus”, tregoi se familja e tij e kishte angazhuar Ibish Hotin si avokat, nga i cili kishte marrë grimca shprese, të cilat pastaj do të dilnin të rreme.
“Vjen te momenti që është edhe sot kur e kujtoj, o Zot si kanë ditë aq mirë me luajt me ne. I angazhojnë avokatët tanë, familja rastësisht e kishte angazhu Ibish Hotin, ai ishte avokat i imi. Vjen gardiani, sa herë që e hapke çelinë, pritnim tortura… Na dërgoi në zyre të veçantë, kur hy brenda po e shoh një burrë zotni. Ma vnoj dorën mbi kokë, tha ‘unë jam Ibish Hoti. Më ka angazhu familja jote me të mbrojt’. Kur tha ‘kesh në qarshi: i thashë baca Mehmet po shkoj po ta marr Nimonin, e pe e kthej prapë. Nuk mujta tha me bind se tha mos ma bjer këtu se s’muj me u nda’. Disi u çlirova. Isha mësu vetëm torturë, po del një njeri me të ndihmu. Pastaj më tha ‘çfarë po do me pi’. Ish hera e parë që mora diçka. I thashë një “Jupi”. Ishte një pije për neve në atë kohë pije luksi. Ai e lypi një kafe. Shkoi gardiani. Pastaj më tha ‘Krasniq kemi problem shumë me ty.’ I thashë, pse? Tha ‘tash vjen gjyqi. Tha ‘nuk kemi shtylla, s’di qysh me të mbrojt’. Tregom tha ‘çka s’ke fol në hetuesi, që kur dalim në gjyq me ditë çka me mbrojt. Edhe unë deshta me folë krejt, lidhjen me Hetemin, literaturën, këshillat e Hetemit që nuk i dinin. Më çarmatosi me pije, me sjellje me krejt. Thjesht nuk isha ai i forti”, tha ai.
Ishte ky moment që Krasniqi e kishte vërejtur që i ashtuquajturi avokat, po tentonte ta vinte në kurth. Me ta kuptuar situatën, ai kishte refuzuar të flasë dhe të japë detaje për veprimtarinë politike të tij dhe miqve të tjerë.
Krasniqi tha se ishte tronditur ngase ky avokat ishte paguar nga familja për t’i ndihmuar, por që, sipas tij, kishte dalë e kundërta.
Sipas Krasniqit, Ibish Hoti ishte bashkëpunëtor i UDB-së.
“Në atë moment hyn gardiani me tabak me pije. Instinkti, kur sheh uniformë, nalesh. E pashë dhe u ndala. Ky tha ‘çka ki?’. I thashë, asgjë. Pastaj ai e shau me nënë gardianin, kush tha me hy pa trokit. Kur e shau me nënë, e kuptova që është kurth. Sekondat ishin, me dhënë unë çka kisha bë e ditë, i besova shumë. Nuk ia mora pijen. I thashë, largohu. Dul te dera tha ‘e merr vesh kur të dalësh në gjyq’. E dita që nuk është avokat i imi. U ngjit ai përpjetë. Këto gjëra i kanë bërë ata që i kanë marrë paratë për me na mbrojt. Ibishi ishte angazhu me para të familjes, tu i premtu familjes që ka me nxjerrë. Le që nuk ndihmon, por i shërben UDB-së. Shumë më i keq sesa UDB-ashët e Serbisë. Këtej shitej si shpëtimtar i yti, e ishte xhelat i yti”, tha ai.
Tutje, ai tregon edhe për ditën e gjykimit dhe përmend emrat e kryetarit të trupit gjykues e prokurorit, të dy shqiptarë.
Po ashtu, ai tregon sa vite u dënuan ai me shokët e tij.
“… trupi gjykues e lexon akuzën për neve. Na kërkojnë a jemi fajtorë apo jo. Kur erdha pata mosmarrëveshje me avoketin tim Ibishin. I thashë çu se nuk kam punë me ty. Ke edhe ni problem tjetër. Ne na ngarkuan gjatë aktakuzës edhe një tentim vrasje, kryetarin e komunës së asaj kohe. Edhe Beqir Hoti se ishte vëllau i Ibish Hotit. Unë se kisha ditë që ishte vëllai i Beqirit. Shpëtum prej asaj aktakuze… i thashë çka ki punë me më mbrojt. Gjykatësi në fund tha, mos fol. I thashë çka kom pas me ta vra vëllaun tënd. Na thanë a ndieni fajtor, thamë, jo nuk ndihem fajtor, nuk di pse jam ulë këtu. I pari që u dënu me pesë vite Xhemë Lajci, Skënder Berisha 2 vjet e gjysmë, u dënu Hazir Luli 1 vjet e gjysmë. U dënu Hysen Lajçi 1 vit, unë 1 vit dhe Esat Shala një vit. Enver Krasniqi 2 vite. U shpallën gjykimet, pastaj na kthyen në burg. Deri në gjykim kam qenë në qeli”, tha ai. /Dukagjini/