Familjarët e Nusara Suknamai, e cila e humbi jetën në aksidentin ajror të Leicester Cityt, kërkojnë dëmshpërblim prej 7.9 milionë funtesh (nëntë milionë euro).
Modelja tajlandeze ishte një prej pesë të vdekurve kur helikopteri u rrëzua jashtë King Power Stadium në tetorin e vitit të kaluar. Ajo ishte 32 vjeçare.
Familja e saj ka ngritur padi ndaj pronës së miliarderit Vichai Srivaddhanaprabha, i cili po ashtu e humbi jetën në aksident.
Avokatët e familjes së Nusaras kanë thënë se familja i ka marrë vetëm 2.000 funte (2.260 euro) për funeralin, ndërsa deri më tani janë bërë oferta në vlerë prej 20.000 dhe 40.000 funte, të cilat janë refuzuar.
Nusara ishte Miss Universe Tajlanda në vitin 2005, ndërsa ka qenë asistente personale e miliarderit Srivaddhanaprabha.
Ajo e humbi jetën së bashku me pronarin e Leicesterit, Vichai Srivaddhanaprabha, anëtarin e stafit të klubit Kaveporn Punpare, pilotin Eric Swaffer dhe partneren e tij, Izabela Roza Lechowicz. /Telegrafi/