Site icon Telegrafi

Familja e Liridon Rexepit të arrestuar në Turqi: Ai është i pafajshëm

Arianit Koci, avokat i autorizuar i Liridon Rexhepit, të arrestuar sot në Turqi, si i dyshuar për menaxhimin e rrjetit financiar të Mossad-it në Turqi, ka publikuar reagimin e familjes së Rexhepit, e cila është e bindur se familjari i tyre është i pafajshëm.

Koci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se si përfaqësues i autorizuar i familjes së Liridon Rexhepit opinionit publik ia përcjell porosinë e saj.

“Të nderuar qytetarë;

Të nderuar familjarë, shokë, miq e dashamirë;

Njëjtë sikur ju, edhe ne jemi të shqetësuar, njëkohësisht të befasuar, me arrestimin e vëllait tonë, Liridonit, nga autoritetet turke në Stamboll.

Ne jemi të bindur që vëllai ynë është i pafajshëm, ngase asnjëherë të vetme nuk jemi të përfshirë në pretendimet që thuhen, as ne si familje, e as Liridoni.

Jemi të gatshëm për bashkëpunim me secilin institucion të Kosovës apo edhe të Turqisë për ta sqaruar situatën.

Të gjitha informatat eventuale, do të përcjellën përmes të autorizuarit tonë avokatit Arianit Koci.

Me respekt, familja Rexhepi”, thuhet në reagimin e familjes Rexhepi, të cilën e ka përcjellur avokati Koci, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Liridon Rexhepi, i identifikuar si kreu i rrjetit financiar të Mossad-it në Turqi nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT), u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit i Policisë së Stambollit, raporton Anadolu Agency.

Sipas informacionit të marrë nga burimet e sigurisë, Rexhepi ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossad-it në Turqi, shkruan ky medium. /Telegrafi/

Exit mobile version