Site icon Telegrafi

Familja e Astrit Deharit e gatshme të bëjë zhvarrimin nëse i kërkohet (Video)

Janë bërë më tepër se 15 muaj nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, teksa po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2016 Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkonte ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe qeveria do t’ia hiqte të gjitha shpenzimet.

Me kërkesë të familjes Dehari ekspertiza iu besua Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze, ndërsa për këtë ekspertizë Qeveria e Kosovës ndau 50.000 euro.

Përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, avokati Tomë Gashi, tha se së shpejti priten të dalin rezultatet e para lidhur me hetimin e vdekjes së Deharit nga qendra zvicerane.

Gashi tha se përkundër dhimbjes, nëse Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze kërkon zhvarrimin e Astrit Deharit, familja do ta pranojë një kërkesë të tillë për zbardhjen e së vërtetës.

“Familja e Astrit Deharit presin hetime ndërkombëtare, e jo vetëm dërgimin e dokumentacionit nga Prokuroria Themelore në Prizren te ky institut dhe që ata pastaj kinse të dalin me një raport për gjetjet e tyre. Familja e Astrit Deharit ka pranuar publikisht se nëse ata kërkojnë edhe ekshumimin eventual të trupit të Astrit Deharit, ata do ta lejojnë, apo nxjerrjen e trupit të tij pas varrosjes për ekzaminime eventuale, mirëpo të gjitha këto nëse ky Institut i konsideron të nevojshme”, tha Gashi, shkruan Kallxo.com.

Avokati Gashi tha se pa marrë parasysh rezultatet e institucionit zvivceran, në aspektin juridik familja e Deharit do të pranojë atë.

“Me siguri që Instituti Zviceran në momentin që e bjen eventualisht një ekspertizë tjetër, familja e Astrit Deharit, por edhe unë si përfaqësues i tyre do ta pranojmë në aspektin juridik çfarëdolloj rezultate që të jenë”, tha Gashi.

Për vdekjen e Deharit, avokati Gashi tha se përgjegjës janë ata që duhej të kujdeseshin për jetën e tij prapa grilave.

“Unë besoj që institucionet të cilat është dashur që ta ruajnë jetën e tij, aty nuk i di emrat e përveçëm kush janë ata persona, por në kuadër të institucioneve fare lehtë mund të gjinden ata të cilët kanë qenë përgjegjës për ruajtjen e jetës së tij, meqenëse ai ka qenë në Institutin e Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku jeta e tij do duhej të ishte e sigurt dhe e garantuar dhe jo që të hyjë një djalë i ri 26 vjeç, i gjallë, shëndosh dhe mirë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe që të dalë i vdekur apo në arkivol”, tha Gashi.

Avokati foli edhe çfarë do të ndodhë nëse institucioni zviceran që do të kryejë ekspertizën, nxjerr rezultatet e njëjta si institucionet kosovare për vdekjen e Deharit

“Unë besoj se nuk duhet të ketë përgjegjësi dhe nuk ka as Instituti i Mjekësisë Ligjore, personat që e kanë kryer obduksionin, as ekspertët e pavarur, por sido që të jetë kjo mund të konsiderohet si një superekspertizë e cila në aspektin juridik do ta mbyllë çështjen Dehari”, tha Gashi.

Gashi e quajti të gabuar deklarimin për vetëvrasjen e Astrit Deharit.

Në një konferencë për medie të dhënë më 18 nëntor të vitit 2016 nga kryeprokurori Sylë Hoxha, ai ka deklaruar se të gjitha provat dhe ekzaminimet e kryera gjatë procesit hetimor kanë demonstruar se ky rast ishte vetëvrasje.

Astrit Dehari aktivist i Vetëvendosjes vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të vitit të kaluar.

Exit mobile version