Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se ditë më parë familja e Astrit Deharit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-prokurorit Sylë Hoxha.
“Ashtu siç premtuam pas Referendumit për Vetëvendosje! ne sot po e publikojmë kallëzimin penal kundër ish Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ish Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ish kandidatit për deputet të Kuvendit të Kosovës nga LDK – Sylë Hoxha”, ka shkruar Gashi.
Gashi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kallëzimi penal ka të bëjë me mosveprimet e tij si person zyrtar – Kryeprokuror dhe Prokuror në rastin e hetimit të vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
“Kryeprokurori – Prokurori Sylë Hoxha nuk ndërmori asnjë veprim të domosdoshëm në kuadër të detyrës së tij zyrtare për të siguruar prova që do të identifikonin vrasësit e Astrit Deharit, urdhërdhënësit për vrasje dhe ata që e fshehën vrasjen e Astritit për më tepër se 4 vite”, theksoi Gashi. /Telegrafi/