Familja dhe miqtë e Liam Payne kanë mbledhur një shumë të konsiderueshme për bamirësi në nder të tij, pas vdekjes së tij të papritur vitin e kaluar.
Ata mblodhën 31,303 funte (37 mijë euro) për spitalin Great Ormond Street, për të ndihmuar në ndërtimin e një njësie të re për kancerin e fëmijëve, pasi morën pjesë në funeralin e këngëtarit në nëntor.
Fansat gjithashtu dhuruan 1,808 funte (mbi 2 mijë euro) përmes donacioneve në internet, shkruan DailyMail.
Liam ishte i njohur për dashurinë e tij për fëmijët dhe përkushtimin ndaj bamirësisë, veçanërisht për shkak të dashurisë për djalin e tij Bear.
Liz Tait, drejtoresha e mbledhjes së fondeve në spitalin Great Ormond Street, shprehu mirënjohjen për të gjitha donacionet, që do të kontribuojnë në ndërtimin e qendrës së re për kancerin e fëmijëve.
Përveç donacioneve, fansat e One Direction kanë mbështetur gjithashtu bamirësitë e shëndetit mendor, duke dhuruar fitimet nga shfaqja e dokumentarit të grupit në kinema në nder të Liam.
Vdekja e Liam Payne, e cila ndodhi pasi ai ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, është ende nën hetim.
Shkaku i vdekjes së tij është konfirmuar si ‘polytrauma’, ndërsa pesë persona janë akuzuar për vrasje nga pakujdesia dhe furnizim me drogë. /Telegrafi/