Armend Bilalli nga Peja, është viktima e aksidentit të së enjtes në mes të trenit dhe automjetit në Videjë të Klinës.
I ndjeri, Armend Bilalli 25 vjeçar, ishte arkitekt në fushën e Interierit dhe Dizajnit, ndërsa në momentin kritik të aksidentit ishte me detyrë pune.
Familja Bilalli në Pejë ka hapur tashmë dyert e mortit, derisa ende nuk dihet se orari i ceremonisë mortore të të riut, meqë trupi i pajetë ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Prokuroria Themelore e Shtetit në Pejë, nëpërmjet zëdhënësit Shkodran Nikçi, është deklaruar për rastin.
“Me t’u raportuar rasti, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Urdhrin e kemi dërguar edhe verbal edhe me shkrim. Pasi që të përfundon autopsia, trupi do tu dorëzohet familjarëve për ceremoninë e varrimit”, deklaroi Nikqi gjatë mbrëmjes në ‘RADIO 1’.
Burime jozyrtare thonë se autopsia pritet të zhvillohet herët në mëngjes, për faktin se në momentet e para të ngjarjes kanë munguar të dhënat e plota të viktimës.
I pyetur për fatin e drejtuesit të trenit, Nikqi ka thënë se i njëjti është lënë i lirë.
“Drejtuesi i trenit nuk është ndaluar meqë nuk ka elemente të veprës penale”, konfirmoi Nikqi.
Vdekja e të riut u konstatua në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Pejës, ku i njëjti u dërgua për trajtim, por që fatkeqësisht nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve nga lëndimet.
Ndryshe, fqinjët e të ndjerit, Bilallin e përshkruajnë dhe kujtojnë si djalosh të sjellshëm, punëtorë e të respektuar.
Ngjarja e rëndë ka prekur tërë qytetin e Pejës dhe opinionin e gjerë./RADIO 1/