Familjarët e Liridona Ademaj, kanë hapur të pame në fshatin Rracaj të Gjakovës ku pritet të rivarroset, 30-vjeçarja e vrarë më 29 nëntor në Prishtinë.
Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar këtë të hënë që ta ngushëllojnë familjen Ademaj.
Ajo është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës, ku ishte varrosur fillimisht.
Me kërkesë të familjarëve, rivarrimi do të bëhet në fshatin e saj të lindjes. Familjarët kanë bërë të ditur se rivarrimi i saj do të bëhet nga ora 14:00.
Në mesin e të dyshuarve kryesor për vrasjen e 30-vjeçares është edhe burri i saj, Naim Murseli.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve Naim Murselit, Granit Plavës, dhe Kreshnik Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Granit Plavës për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe Kreshnik Kokallës për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Liridona Ademaj, u vra në Bërrnicë të Prishtinës, më 29 nëntor./RTVD/