Site icon Telegrafi

Falsifikuan çertifikatën e veteranit, ngritet aktakuzë kundër dy personave në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një njoftimi bënë të ditur se ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave të pandehur për shkak të veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Prokuroria njofton se të pandehurit, R.A., dhe N.A., nga Ferizaj, gjatë muajit prill 2018, kanë vënë në lajthim organin kompetent – Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë kinse dy të pandehurit janë “Veteran Luftëtar të UÇK-së”, në atë mënyrë që me dokumente të falsifikuara edhe atë çertifikatën veteran luftëtar dhe vërtetimin e veteranit luftëtar, të pandehurit kanë aplikuar në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe kategorive tjera të përcaktuara me ligj, ku kanë arritur të përfitojnë pagë mujore prej 170.00 eurove secili veç e veç, nga muaji maj 2018 deri në muajin shtator 2018, duke i shkaktuar dëme materiale të dëmtuarës -Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në shumë prej 1.020.00 euro secili veç e veç”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit me këto veprime të pandehurit R.A., dhe N.A., kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë./Telegrafi/

Exit mobile version