Paratë e falsifikuara që po qarkullojnë në tregun e Kosovës janë kthyer në shqetësim kohëve të fundit. Agjencia për Forenzikë e Kosovës në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë po punojnë vazhdimisht në luftimin e kësaj dukurie.
Një rast i falsifikimit të 100 eurove nga tre shtetas të huaj që u raportua gjatë kësaj jave është vetëm një nga 523 raste te raportuara nga Policia e Kosovës për nëntë muajt e këtij viti.
Këta persona që tentuan të paguajnë në një lokal në Shtërpcë me paratë false, janë arrestuar nga organet e drejtësisë dhe janë dërguar në mbajtje.
Por, raste të tilla që kohëve të fundit po raportohen shpesh, përfundojnë për t’u ekzaminuar në Agjencinë Kosovare të Forenzikës.
“Sipas statistikave që i posedon Divizioni i jonë mundem me fol për periudhën 1 janar – 30 shtator të vitit 2021, kartëmonedha më e falsifikuar rezulton ajo me valutën numerike 100 euro, gjithashtu sipas statistikave të divizionit tonë për periudhën e njëjtë kohore, prapë kartëmonedha më e falsifikuar është 100 euro”, ka thënë specialistja për dokumente dhe dorëshkrime, Vjollca Mavriqi.
Por, para se paratë të ekzaminohet, Mavriqi tregon disa nga tiparet ndihmëse për parandalim të mashtrimit.
“Tipar tjetër është edhe homologrami i vendosur këtu i cili mund të verifikohet vetëm me lëvizjen e dorës varësisht nga këndi i lëvizjes edhe hologrami e merr ose simbolin euro ose valutën numerike e cila është ajo kartmonedhë”, ka theksuar Mavriqi.
Shumica e këtyre falsifikimeve të parave, sipas Agjencisë Kosovare të Forenzikës bëhet në mënyrë të perfeksionuar, prandaj edhe ato po qarkullojnë më lehtë në treg.
“Gjithashtu në divizionin tonë vijnë edhe kërkesa për ekzaminim të monedhave me valutë të ndryshme numerike duke filluar prej 2 eurove deri tek ajo 5 cent, sipas statistikave tona si në vitin 2021 gjithashtu edhe gjatë këtij viti monedha më e falsifikuar është 2 euro”, ka shtuar ajo.
Policia e Kosovës ka treguar gjithashtu për RTV Dukagjini se edhe gjatë vitit 2021, janë iniciuar dhe trajtuar 866 raste të falsifikimit të parave.