Kur drejtoria e Muzeut Kombëtar Romak merr një pako të rëndë të dërguar nga tej oqeani, nuk prisnin të gjenin brenda një fragment mermeri antik ku është shkruar mesazhi: “Për Samin, me dashuri nga Jess, Romë 2017.” Bashkë me reliktin ishte një letër nga një grua e re, e quajtur Jess, që kërkon falje “se ishte një gomaricë amerikane”. Ajo shtoi se ka marrë diçka që nuk ishte “e imja” dhe se po e kthente atë, raporton Guardian, transmeton Telegrafi.
“Ndihem keq që jo vetëm se vodha këtë send nga vendi i çmuar, por bëra shkrim mbi të”, shkroi ajo. “Ishte gabim i madh nga ana ime dhe tek tani, si e rritur, e kuptoj se sa i pamend dhe i neveritshëm ky akt ishte”.
Jess tha se u përpoq të pastronte mesazhin e shkruar me stilolaps të zi, por kjo nuk pati rezultat.
Ajo është turistja e fundit që pendohet pse ka vjedhur një artefakt nga një lokacion kulturor italian. Në tetor, një kanadeze e quajtur Nicole i dërgoi fragmentet e vjedhura 15 vjet më parë nga qyteti antik i Pompeit, duke shtuar se ishin “të mallkuar”.
Është e paqartë se nga cili vend është marrë saktësisht pjesa e mermerit, por mund të ketë qenë vendi i Forumit Romak, që ishte zemra politike e Perandorisë Romake. Stéphane Verger, drejtor i Muzeut Kombëtar Romak, i tha gazetës “Il Messaggero” se pakoja u dërgua nga Atlanta e Xhorxhias në ShBA.
“Nga toni i saj imagjinojmë se ishte e re”, tha ai. “Në vitin 2017 duhet të ketë ardhur në Romë dhe e ka marrë këtë fragment mermeri që t’ia dhuronte të dashurit të saj. Më bëri përshtypje për faktin se është e re; e kuptoi se kishte gabuar”.
Incidenti ka shtyrë menaxhmentin e muzeut të mendojë nëse ajo ishte nxitur të kthente artefaktin, pasi e dëgjoi historinë e kanadezes Nicole.
Nicole ia kishte dërguar një agjenti udhëtimesh në Pompei, në Italinë e Jugut, një pako që përmbante dy pllaka mozaiku, pjesë të një amfore dhe një copë qeramike, si dhe një letër rrëfimi. Ajo ishte në fillim të të 20-ave kur e vizitoi parkun arkeologjik më 2005 dhe e fajësoi vjedhjen për një fatkeqësi që i kishte ndodhur prej asaj kohe, përfshirë kancerin e gjirit për dy herë dhe vështirësitë financiare.
“Kush e di”, tha Verger. “Ndoshta ka dëgjuar për gruan kanadeze. Viti 2020, i shkatërruar nga pandemia e koronavirusit, i ka shtyrë njerëzit të reflektojnë gjë ka shtyrë njerëzit të vrasin ndërgjegjen. Fakti është se tre vjet pas vjedhjes, ajo e ktheu mermerin e ky është një gjest shumë i rëndësishëm simbolik”.
Verger tha se mermeri ka origjinën nga guroret e Azisë së Vogël. Jess e kishte përgatitur paketën me kujdes duke siguruar që relikti të arrinte pa u dëmtuar.
“Letra që e shoqëronte ishte mjaft prekëse”, tha ai. /Telegrafi/